Erion Murataj PSD

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani ka folur rreth besimit ortodoks, pagëzimit të tij të fshehtë gjatë komunizmit.

Ekzistencës së Kishë e nëndheshme në atë periudhë, shkollimit të tij në SHBA nën kujdesin e At Liolinit, vlerësimeve të tij maksimale për Kryepeshkopin Anastas dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në ringjalljen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, vlerësimeve mbi Fan Nolin, kulturën e tij, dashurinë për Kishën Ortodokse dhe rolin e tij në historinë e Kishës, si dhe për çështje të debatueshme si Natyrës së Madhe dhe Vija e Teodosit në Shqipëri.

Ai rrëfen se si i ka rënë në dorë Dhiata e Parë në gjimnaz, në vitin 1974, si ka ndikuar ajo në jetën e tij, dhe më pas për pagëzimin e fshehtë nga At Kozmai, me dëshmitar Petro Zhejin, i cili u bë nuni i tij.

“Atë Kozmain e kam njohur nëpërmjet disa motrave besimtare me banim në Korçë, të njohura si motrat Cico, të cilat i njihnim përmes Theofan Popës. Së bashku me Petro Zhejin, që u bë nuni im, i kemi vizituar ato shpeshherë”, tha ai për Tema.

Ai tregon se kontakti i parë me Kryepeshkopin Anastas ishte në vitin 1992, i rekomanduar nga Mitropoliti Dhimitër, një mik i ngushtë i Kryepeshkopit Anastas qysh nga rinia, i cili i tregoi për veprimtarinë e tij në Greqi dhe si misionar në Afrikë. Nëpërmjet tij u lidh me Kryepeshkopin, të cilit i tha se kur të përfundonte studimet, do të kthehej në Shqipëri.

Fortlumturia e Tij, Imzot Joan, rrëfen se gjatë studimeve në Boston u ndihmua nga At Artur Liolini dhe së bashku punuan për disa kohë në organizimin e Bibliotekës së Fan Nolit.

“Aty hasëm edhe disa tekste të shkruara nga ai, që tregojnë qartë se për të, kisha ishte më e rëndësishmja. Ai ka shkruar: ‘Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha’. Ndërsa përkthimin dhe hartimin e Kremtores – një libër shërbesash që përmban psalmet, odet dhe troparët e vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur ‘kënaqësinë e tij më të madhe’ dhe ‘veprën, në të cilën janë përqendruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale’.

At Arturi më ka treguar se Imzot Theofani shpesh thoshte: “Nëse në jetën politike kryevepra ime ka qenë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në fushën e letrave kryevepra ime është Kremtorja”