
Finalja e madhe e “X Factor Albania” solli jo vetëm emocione muzikore, por edhe një moment të shumëpritur për publikun shqiptar: rikthimin televiziv të Arbana Osmanit.
Pas një mungese të gjatë nga ekrani, moderatorja e njohur u shfaq për herë të parë në TV Klan, ku u ftua nga Alketa Vejsiu për të komentuar karrierën e saj dhe për të zbuluar arsyet e largimit nga Top Channel.
Arbana u shpreh se ishte ajo vetë që kishte vendosur të tërhiqej përkohësisht nga televizioni. Ajo theksoi se ndjeu nevojën për një pauzë, për të rigjetur veten dhe për të kuptuar drejtimin e mëtejshëm të jetës së saj personale dhe profesionale. Por deklarata e saj duket se nuk është pritur njësoj nga të gjithë.
Vetëm pak ditë më pas, gjatë një prej mbrëmjeve “prime” të Big Brother VIP Albania, Ledion Liço, aktualisht moderatori i spektaklit në Top Channel, u duk se lëshoi një thumb të koduar, por shumë të qartë për publikun.
Ledioni e nisi spektaklin me përshëndetjen karakteristike të Arbanës: “Mirëmëngjes yje”, një frazë tashmë ikonike për moderatoren.
Ndërsa mbrëmjen e mbylli me një mesazh të fortë që shumëkush e pa si thumbim: “Ka diçka më të ulët dhe më të rrezikshme sesa të gënjesh të tjerët – është të gënjesh veten.”
Për ndjekësit e vëmendshëm të televizionit, kjo deklaratë u përjetua si një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Arbana Osmanit dhe intervistës së saj në TV Klan.
Komentet në rrjet shpërthyen menjëherë, me shumë përdorues që spekuluan se Ledioni po e vinte në pikëpyetje versionin e Arbanas për largimin nga televizioni ku ajo kishte ndërtuar një pjesë të rëndësishme të karrierës.
Kjo nuk është hera e parë që mes figurave të njohura të ekranit ndodhin shkëmbime indirekte të tillë, por në këtë rast, ndjeshmëria është edhe më e madhe për shkak të kalimit të Arbanës nga një televizion i madh në një tjetër.
