
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv në Kroaci.
Ish-mesfushori i njohur Nikola Pokrivac ka ndërruar jetë në një aksident automobilistik në vendlindjen e tij, ka konfirmuar Federata Kroate e Futbollit.
Pokrivac ishte vetëm 39 vjeç dhe kishte një karrierë të spikatur, duke luajtur për ekipe si Dinamo Zagreb, AS Monaco dhe Red Bull Salzburg.
Ai ka përfaqësuar kombëtaren kroate në 15 ndeshje ndërmjet viteve 2008-2010 dhe ishte pjesë e formacionit që mori pjesë në Euro 2008.
Në vitin 2015, ai u diagnostikua me limfomën Hodgkin, një sëmundje që e detyroi të largohej nga futbolli profesionist.
Megjithatë, ai nuk hoqi dorë nga pasioni i tij dhe në vitin 2021 u rikthye në futbollin amator, duke iu bashkuar skuadrës NK Vojnic verën e kaluar.
Sipas mediave lokale, aksidenti ndodhi të premten në mbrëmje në Karlovac, në qendër të Kroacisë. Pokrivac ndodhej në një automjet së bashku me tre bashkëlojtarë të tij nga NK Vojnic, kur u përfshinë në një përplasje me katër makina. Përveç Pokrivac, humbi jetën edhe një person tjetër 42-vjeçar, ndërsa pasagjerët e tjerë u dërguan në spital me plagë të rënda.
“Nikola ishte një futbollist i shkëlqyer, i cili e jetoi futbollin deri në momentin e fundit të jetës së tij. Ai tregoi guxim të madh duke mposhtur një sëmundje të tmerrshme. Kjo është një humbje e madhe për komunitetin tonë futbollistik dhe veçanërisht e dhimbshme për familjen e tij”, u shpreh presidenti i Federatës Kroate të Futbollit, Marijan Kustic.
Pokrivac, përveç sukseseve në klube të njohura, ka qenë pjesë e përballjeve kundër Anglisë në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2010.
“Është e pamundur të gjesh fjalë ngushëllimi në një moment kaq tronditës dhe të dhimbshëm, kur kemi humbur një jetë të re”, shtoi Kustic. “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Nikolas dhe të afërmit e tij. Federata dhe familja e futbollit kroat do të jenë pranë tyre në këto momente të vështira.”
