Erion Murataj PSD

Sergio Alfieri, drejtori i kirurgjisë onkologjike abdominale në spitalin Gemelli, koordinatori i mjekëve të Atit të Shenjtë gjatë shtrimit të tij dhe kirurgu i tij personal, flet për Papën në kohën e tashme.

Dhe për herë të parë zbulon detaje dhe projekte që kanë shënuar një marrëdhënie “vlerësimi dhe dashurie” që është rritur ndër vite. Që kur, në vitin 2021, u kujdes për ndërhyrjen e parë në bark.

“Në janar, Papa Françesku më tha se duhej të kujdeseshim për embrionet e braktisura. Ishte i prerë: ‘Janë jetë, nuk mund të lejojmë që të përdoren për eksperimente ose që të humbasin. Do të ishte vrasje’. Po shqyrtonim, edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, ndër opsionet e ndryshme, mënyrën për t’i dhënë për birësim, por nuk pati kohë që Papa ta bënte vendimin e tij të zbatueshëm. Angazhimi im tani do të jetë, nëse krijohen kushtet, ta realizoj këtë dëshirë të tij”.

Kur e keni parë për herë të fundit?

“Të shtunën pas drekës, në vigjilje të Pashkës. Dhe mund të them se ishte shumë mirë, edhe ai vetë ma tha. I çova një torte me reçel të errët, siç i pëlqen atij, dhe biseduam pak. “Jam shumë mirë, kam filluar të punoj përsëri dhe më pëlqen”. Dija që të nesërmen do të jepte bekimin Urbi et Orbi dhe lamë takim për të hënën”.

Ju i kishit përshkruar 60 ditë pushim. Nuk i thatë të shmangte punën?

“Jo, sepse ishte e drejtë kështu. Ai është Papa. Të rikthehej në punë ishte pjesë e terapisë dhe ai kurrë nuk u ekspozua ndaj rrezikut. Ishte sikur, teksa i afrohej fundit, vendosi të bënte gjithçka që duhej të bënte. Ashtu siç ndodhi të dielën, kur pranoi propozimin e ndihmësit të tij shëndetësor personal, Massimiliano Strappetti, për të dalë në shesh mes turmës. Ose siç bëri dhjetë ditë më parë”.

Çfarë bëri?

“Më kërkoi të organizoja një takim me të gjitha personat që e kishin kuruar në Gemelli. I thashë që ishin rreth 70 persona, ndoshta do ishte më mirë pas Pashkës, në fund të pushimit. Por përgjigjja e tij ishte e prerë: “I takoj të mërkurën”. Sot e ndjej qartë se ai e dinte që duhej të bënte disa gjëra para se të vdiste”.

Kur u njoftuat?

“Të hënën rreth orës 5:30 më thirri Strappetti: “Ati i Shenjtë është shumë keq, duhet të kthehemi në Gemelli”. Paralajmërova të gjithë dhe njëzet minuta më vonë isha atje në Santa Marta, megjithatë më dukej e vështirë të mendoja se ishte i nevojshëm një shtrim në spital. Hyra në dhomën e tij dhe ai kishte sytë hapur. Konstatova që nuk kishte probleme me frymëmarrjen dhe përpiqesha t’i flisja, por nuk më përgjigjej. Nuk përgjigjej as ndaj stimujve, as ndaj atyre të dhimbjes. Në atë moment e kuptova që nuk kishte më çfarë të bëhej. Ishte në koma”.

Edhe transporti në spital do të kishte qenë i kotë?

“Rrezikonim që të vdiste gjatë transportit, shpjegova që shtrimi do ishte i panevojshëm. Strappetti e dinte që Papa donte të vdiste në shtëpi, kur ishim në Gemelli ai e thoshte gjithmonë. Ndërroi jetë pak më pas. Unë qëndrova atje me Massimiliano, Andrea, infermierët e tjerë dhe sekretarët; pastaj erdhën të gjithë dhe kardinali Parolin na kërkoi të luteshim dhe bashkë recituam rruzaren. U ndjeva me fat dhe tani mund të them që isha me të vërtetë. Atë mëngjes i dhashë një përkëdhelje si lamtumirë”.

Kur u përzgjodhët?

“Për herë të parë e takova në 2018, ishte një emocion i madh. Unë isha konsulent kirurg i Selisë së Shenjtë dhe ai na ftoi të merrnim pjesë në një meshë në Santa Marta. Ishte si një famullitar, predikonte dhe pastaj në fund të meshës dilte nga kisha dhe përshëndeste të gjithë një nga një. Dy vjet më vonë filloi të kishte probleme me barkun, kishte dhimbje të forta abdominale dhe cilësia e jetës së tij, me të gjitha angazhimet që kishte, nuk ishte optimale. Bëri analizat, dëgjoi disa mjekë. Kishte një sëmundje të rëndë divertikulare. Një ditë Strappetti më solli skanerin. Ndoshta Papa ishte i informuar që kisha përvojën më të madhe në Itali për operacionet e kirurgjisë kolorektale dhe vendosi të operohej nga unë”.

Dhe ju i këshilluat ndërhyrjen?

“Thashë që gjendja ishte serioze, por duhej ta vizitoja. Një ditë më kërkuan të shkoja në ambulancën në Vatikan dhe pas rreth 2 orësh takova Papën që po largohej me makinë. Më pa dhe më tha: “E ke parë skanerin tim? Mirë, faleminderit”. Dhe iku. Ajo ishte vizita. Më thirrën pas disa ditësh dhe shkova në Santa Marta. Më tha: “Kam vendosur të operohem dhe iu kam zgjedhur ju”. E vizitova dhe ndjeva gjithë përgjegjësinë. “Të shohim agjendën. Ku do të më operoni?”. Kisha ndjesinë e qartë që donte të shkonte kudo, në çdo spital që do të zgjidhja, por i thashë, këtë herë shumë prerë, që nëse donte të operohej nga unë, nuk kishte mundësi tjetër veçse spitali Gemelli. E pranoi, por me kushtet e tij: “Do të vij të dielën pas Engjëllit. Nuk duhet ta dijë askush. Nëse lajmi del, nuk operohem më””.

Dhe a arritët ta mbani sekretin?

“Po! Versioni zyrtar ishte se po vinte një kryetar shteti i huaj që kërkonte konfidencialitet maksimal. Ai specifikoi që çdo vendim në vend të tij duhet ta merrte Strappetti. Dhe pastaj ndodhi diçka që vetëm tani mund ta zbuloj”.

Çfarë ndodhi?

“Pak minuta para ndërhyrjes, Strappetti më tha që Papa donte të më shihte. Hyra në dhomën e tij dhe ai më bekoi duart. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, kuptimin e mora vetëm më vonë. Ai donte të më thoshte: përdor duart e tua për punën tënde, por përdori duart me zemër në vitet që vijnë. Si të thoshte, je katolik, por tani ke diçka më shumë. Ishte një sekret mes nesh të treve, ai donte që të bëhej i ditur dhe tani mund ta them”.

Ishit miq?

“Mund të themi që na lidhte një vlerësim i thellë. Në atë rast qëndruam në izolim për një javë. Kishte ndërlikime, por në ditën e tretë vendosi të na ofronte pica. U ul në krye të tryezës dhe të hash në tavolinë me të është një tjetër privilegj që më dha jeta”.

Cilët të tjerë?

“Disa muaj më vonë më tha që nuk donte që spitali Fatebenefratelli në ishullin Tiberina të Romës të shitej dhe të bëhej spital jo katolik. Më kërkoi ndihmë. E bëmë sipas dëshirës së tij. Ishte një vit shumë i ngarkuar sepse spitali ishte shitur, mungonte vetëm firma e fundit. Organizoi një takim në Santa Marta dhe tha: “Tani përpiqemi të jemi konkretë, mos bëjmë si në këngën e Minës që thotë “Fjalë, fjalë, fjalë”. Ishin 200 milionë euro borxhe. Me dy telefonata, njëra kardinalit Zuppi, arriti të sigurojë fondet e nevojshme. Gjysmën tjetër e dha kalorësi Del Veçhio pa kërkuar asgjë në këmbim. Papa tha: “Ishte përkujdesja hyjnore, kjo dëshirë më erdhi nga brenda”. Në fund i organizova një takim me kalorësin Del Veçhio, dhe ishte shumë prekës sepse ishin dy pleq që u kuptuan menjëherë dhe që kishin shpëtuar një spital simbol të qytetit”.

Pastaj pati ndërhyrjen e dytë.

“Edhe në atë rast gjithçka ishte sekret. Pas operacionit të parë, kur po kthehej në shtëpi, doli për të theksuar rëndësinë e shëndetësisë publike dhe rëndësinë e ruajtjes së spitaleve katolike me një mision të caktuar. E tregoi duke u kthyer në Gemelli”.

Tani do të kujdeseni për embrionet?

“Epo, jo vetëm. Unë jam kryesisht kirurg onkologjik abdominal. Do ta bëj bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Schillaci, ashtu siç donte Papa, dhe shpresoj me Vatikanin. Do të shohim”.

Gjatë shtrimit të fundit, keni menduar ndonjëherë se Papa nuk do t’ia dilte?

“Po, një natë ishin përgatitur procedurat që më pas u kryen të hënën. Kishim frikë nga më e keqja, por ai na habiti të gjithëve. E dinim që donte të kthehej në shtëpi për të qenë Papë deri në momentin e fundit. Dhe nuk na zhgënjeu”.