Erion Murataj PSD

Një film i ri horror po “pushton” kinematë dhe po merr vlerësime të larta nga kritikat.

“Sinners”, i regjisorit të njohur Ryan Coogler (i njohur për “Black Panther” dhe “Creed”), është cilësuar si filmi me vlerësimet më të larta i dekadës, sipas Film Buzzr, falë një rezultati prej 98% në Rotten Tomatoes.

Filmi, ku aktori Michael B. Jordan luan dy role si binjakët Smoke dhe Stack, është ngjitur në vendin e parë të fitimeve këtë fundjavë, duke lënë pas edhe “A Minecraft Movie”, me të ardhura prej 45.6 milionë dollarësh në SHBA, sipas të dhënave nga Associated Press.

Reagimet në rrjete sociale janë të shumta, ku shumë komentues shkruanin:

“Aktin e parë e zvarrit pak, por kur fillon aksioni… UAU. Filmi ishte i mrekullueshëm!”

“Nuk kam parë një film vampirësh kaq të realizuar që nga ’30 Days of Night’”.

“Ky film më la pa fjalë. Nga aktrimi te kinematografia, e deri te muzika që përshtatej në mënyrë perfekte.”

Megjithatë, jo të gjithë ndanë të njëjtin entuziazëm.

“Më pëlqeu, por jam i habitur sa i mbivlerësuar është… jeni të sigurt që s’ju kafshoi ndonjë vampir dhe juve?”, ironizoi një komentues.

Një tjetër e quajti: “100% i mbivlerësuar, i mirë por jo ndonjë gjë e veçantë, një kopje e ‘From Dusk till Dawn’.”

“Çdo gjë që nuk është mbeturinë pas vitit 2019, po quhet kryevepër.”

Filmi, i vendosur në vitin 1932 në shtetin e Mississippit, ndjek historinë e dy vëllezërve binjakë që drejtojnë një biznes, ndërkohë që përballen me forca të errëta. Krahas Jordan, në kast marrin pjesë edhe Miles Caton, Saul Williams, Andrene Ward-Hammond, Jack O’Connell, Tenaj L. Jackson, dhe të tjerë.

Produksioni i Warner Bros ka pasur një buxhet të llogaritur rreth 90 milionë dollarë. Marrëveshja inovative e Coogler, e cila përfshin përqindje nga të ardhurat bruto dhe pronësinë e filmit pas 25 vitesh, ka ngjallur reagime të forta në industrinë e filmit.

Sipas burimeve të Vulture, drejtuesit e studiove konkurrente janë të shqetësuar, duke e quajtur këtë marrëveshje “një precedent shumë të rrezikshëm” që mund të tronditë sistemin aktual të industrisë së filmit.

CEO i IMAX, Rich Gelfond, u shpreh për Variety: “Ka qenë një përvojë fantastike bashkëpunimi me Ryan për këtë film të jashtëzakonshëm dhe të realizuar me mjeshtëri. Jemi të lumtur që IMAX ishte pjesë e këtij debutimi të suksesshëm.”

Ekspertët e industrisë parashikojnë që investimi i madh në këtë projekt do të ketë ndikim afatgjatë, si në aspektin komercial, ashtu edhe në atë krijues, duke ngritur standardin për filmat e ardhshëm të zhanrit.