Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, është shprehur se me daljen ‘jashtë loje’ të deputetëve të vjetër të kësaj force politike, Parlamenti do të humbë shumë.
Komentet Koçi i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku tha se shumë prej deputetëve të rinj që do të hyjnë në Parlament, nuk do të jenë në lartësinë e duhur dhe as të barabartë me ‘senatorët’ e vjetër.
Ai tha gjithashtu se nuk e dinte arsyen se përse disa kandidatë të rinj, të cilët nuk janë figura të njohura politike, morën aq shumë vota në listat e hapura, por shtoi se sistemi aktual zgjedhor prodhon garë të pabarabartë, shkruan A2 CNN.
“Fitorja është meritë e padiskutueshme e Partisë Socialiste, një dëshmi e një besimi të ri, pse jo edhe plebishitare për këtë forcë politike. Unë mendoj që Parlamenti në radhë të parë është edhe një përvojë politike. Parlamenti do njerëz që e njohin mirë shtetin, njohin marrëdhëniet e Parlamentit me institucionet e shtetit, njohim mirë marrëdhëniet e institucioneve me njëri-tjetrin.
Njerëz që kanë përvojë në fusha të caktuara të funksionimit të shtetit dhe parlamentit. Mendoj që vërtetë ikja e të vjetërve do të jetë një minus. Besoj se ata që kanë hyrë rishtaz në Parlament, do të ketë individë që do të jenë në lartësinë e duhur, por edhe nga ata që nuk do të jenë në lartësinë e duhur.
Ka figura të reja si Pirro Vëngu që unë besoj se do të jenë në standardin e lartë. Aty ka shumë eksperiment që edhe mund të ishte shmangur. Unë nuk i di arsyet konkrete se përse disa kandidatë të rinj u votuan aq shumë, por di të them se për shkak të sistemit, gara ka pabarazi të jashtëzakonshme”, tha Koçi, shkruan A2 CNN.