Sara Hoxha ka folur së fundmi për suksesin e “BBVA 4”, duke mos u ndalur thjesht te produksioni, por te shëmbëlltyra e realitetit tonë:

“Big Brother VIP”, këtë vit nuk ka qenë thjesht një spektakël argëtues, ka qenë një pasqyrë e realitetit shqiptar, një platformë ku janë rrëfyer histori që ndoshta në shoqërinë tonë ende trajtohen me turp ose heshtje. Ka pasur rrëfime ku është folur për përvoja të dhimbshme, për abuzime seksuale, për momente të jetës që kërkojnë shumë kurajo për t’u ndarë me publikun.

Është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe për mua si producente, të krijoj një hapësirë ku këto zëra dëgjohen pa paragjykim, me respekt dhe mbështetje”, tha ajo, referuar historive të larmishme që u ndanë me publikun gjatë këtij sezoni.

Sara tregoi ndër të tjera edhe për faktin që punon me bashkëshortin, Ledion Liçon, duke theksuar se puna është sfiduese, por ajo kanë mësuar shumë nga Ledioni:

“Dy vjet punë intensive në “Big Brother” me Ledionin kanë qenë një rrugëtim i bukur, por edhe sfidues. Nuk është gjithmonë e lehtë të ndash punën dhe jetën me të njëjtin person, por kam mësuar jashtëzakonisht shumë prej tij, çdo ditë dhe ndihem me fat që kam pasur mundësinë të jem në një proces krijues përkrah dikujt që është i saktë, vizionar dhe i përkushtuar.

Nuk ka dy si Ledioni dhe këtë e them me gjithë bindje si dikush që ka kaluar 11 vjet pranë tij, duke u rritur së bashku, si personalisht, ashtu edhe profesionalisht”.

Ajo u ndal edhe te lutjet që bën për familjen dhe fëmijët e saj.

“Çdo ditë, në çdo festë, unë lutem për familjen time. Lutem për shëndetin e tyre. Lutem për mamin tim, e cila ka sakrifikuar shumë për ne dhe lutem gjithashtu që fëmijët e mi të njihen me dhimbjen ose humbjen sa më vonë në jetë. (Si dhe) të kem mundësi të jem pranë tyre dhe t’i bëj krenarë”, tha Sara në Neswboomb.