Seanca gjyqësore për çështjen e sterilizimit është shtyrë për më 28 maj, për shkak të largimit për arsye familjare të avokatit të të pandehurit Klodian Rjepaj. Raportohet se i pandehuri Rjepaj në fjalën e tij para gjykatës deklaroi se çështja është paragjykuar ndër vite dhe se sipas tij, nuk është lejuar të debatohet në mënyrë profesionale.
Ai tha se kjo procedurë ka rreth 19 vite që diskutohet duke shtuar se çdo vendim gjykate ka treguar paragjykim ndaj kësaj çështjeje. Rjepaj shtoi se sterilizimi është bërë si thesi bosh i miellit, që sa herë e shkund nxjerr tym, për nga ana mediatike.
“Ne jemi këtu për një procedurë, që ka gati 19 vite që diskutohet, paragjykohet, akuzohet dhe në asnjë rast kjo çështje nuk është lejuar të debatohet shkencërisht, por është debatuar në mënyrë folklorike, mediatike dhe politike.
Paragjykimi për këtë çështje është shumë i madh. Deri më sot çdo vendim gjykate ka treguar paragjykim ndaj kësaj çështjeje. Nga ana mediatike, sterilizimi është bërë si thesi bosh i miellit, që sa herë e shkund nxjerr tym,” tha Rjepaj.