Italia, Danimarka dhe shtatë vende të tjera evropiane – Austria, Belgjika, Republika Çeke, Polonia dhe vendet baltike – i janë bashkuar në një letër të përbashkët ku shprehin kundërshtimin ndaj interpretimit aktual të Konventës për të Drejtat e Njeriut nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, veçanërisht për çështjet që lidhen me migracionin.

Në letër, vendet theksojnë nevojën për një debat të ri rreth mënyrës se si po zbatohen të drejtat, duke vënë në dukje se “ajo që dikur ishte e drejtë, mund të mos jetë zgjidhja nesër”.

Ata theksuan se migracioni i parregullt ka qenë një problem serioz për Evropën gjatë dekadave të fundit, por shtuan se shumë prej emigrantëve kanë ardhur përmes rrugëve ligjore, janë integruar në shoqëri, kanë mësuar gjuhët dhe kontribuojnë në vendet pritëse.

Nga ana tjetër, u theksua se disa emigrantë kanë zgjedhur të mos integrohen dhe madje janë përfshirë në veprimtari kriminale, duke rrezikuar kështu besimin dhe stabilitetin social të vendeve pritëse.

Në një pasazh të ashpër, letra kritikonte interpretimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për kufizimin e lirisë së shteteve për të marrë vendime politike mbi migracionin, duke vënë në rrezik mbrojtjen e shoqërive demokratike dhe popullatave të tyre.

Udhëheqësit e këtyre vendeve u shprehën se qëndrojnë “në linjë me shumicën e qytetarëve evropianë” dhe synojnë të “rivendosin ekuilibrin e duhur” në këtë çështje.

Ky reagim vjen në një kohë kur migracioni mbetet një temë kyçe dhe e nxehtë në zgjedhjet në Evropë, ku qytetarët shprehin gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj mungesës së veprimeve të qarta për të adresuar problemet migratore. Situata e Gjermanisë dhe Polonisë është shembull i qartë i këtij trendi.