Ilir Alimehmeti ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve që refuzoi kërkesën e tij për rinumërimin e votave për qarkun e Tiranës.KAS e argumentoi vendimin se Kodi Zgjedhor nuk legjitimon kandidatët e një partie që t’i drejtohen këtij organi, por vetëm subjekteve garuese, diçka e cila nuk e ka bindur Alimehmetin. Krahas kërkesës për rinumërimin e kutive, Alimehmeti kërkon nga Kolegji Zgjedhor që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të bërë një kontroll incidental të nenit përkatës të Kodit Zgjedhor dhe rrjedhimisht kushtetutshmërisë së kërkesës.
Në kërkesën e parë të depozituar në KQZ, kandidati demokrat pretendon parregullsi në numërimin e votave për qarkun e Tiranës, duke pretenduar mandatin e koleges Jorida Tabaku, e cila sipas rezultatit paraprak është deputetja më e votuar e PD-së në të 12 qarqet.