Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, analizoi sfidën me Serbinë në konferencën për mediat pas ndeshjes.Tekniku brazilian u ndal në disa pika, duke u shprehur i zhgënjyer që skuadra e tij nuk moir tre pikët, por që fokusi do të jetë në takimin e ardhshëm me Letoninë të martën e 10 qershorit.

“Jam i zhgënjyer për rezultatin, por jam shumë krenar për mënyrën si jemi paraqitur. Jam shumë krenar për djemtë. Në këto një vit e gjysmë-dy vite mendoj se kjo ka qenë një nga ndeshjet më të mira që kemi bërë. Ishte një kundërshtar i vështirë, i ashpër dhe fizikisht shumë i fortë. Kemi hyrë në fushë me mentalitetin e duhur. Edhe lojtarët që hynë në fushë në pjesën e dytë kanë bërë shumë mirë. Merituam pak më tepër, jam i zhgënjyer për rezultatin, por që jam krenar për lojtarët.Ne punojmë vazhdimisht për të rritur nivelin e skuadrës tonë. Kujtojmë që përpara Europianit kishim si zgjedhje diku te 15-16 lojtarë, ndërkohë që sot kemi 22-23 lojtarë që janë të një niveli shumë të mirë. Jemi përmirësuar shumë. Kemi lojtarë shumë të mirë, me teknikë dhe fizik të mirë. Por rikujtoj, e kam diskutuar këtë gjë dhe me lojtarët, që kemi shkuar në Europian dhe falë golave dhe performancave shumë të mira të Asanit dhe Nedim Bajramit. Por ky është një moment tjetër. Mua kjo gjë më pëlqen. Kundërshtari nuk e di çfarë të presë nga skuadra jonë. Mund të ketë përballë Brojën, që është një lojtar i gjatë, me forcë fizike dhe shpejtësi. Mund të jetë Uzuni, mund të jetë Asani që luan me këmbën e majtë, që di të depërtojë në fushë. Është diçka e mirë për ne, sepse kemi lojtarë të nivelit të lartë. Do të vijë momenti i të gjithëve, por jam i kënaqur me lojtarët e mi.

Ishte zgjedhja ime që Manaj të gjuante penalltitë. Kam shënimet për ndeshjet e fundit. Ndaj Andorrës ishte po ashtu Manaj, ndaj Anglisë ishte Bajrami, ndaj Ukrainës ishte Jasir Asani. Unë kam shumë respekt për vendin, për njerëzit. Ju keni një vend shumë të bukur, keni një histori të bukur, me zemër dhe me shpirt. Kam dy vite që jetoj këtu. Më pëlqen shumë qyteti ku jetoj. Unë dhe Doriva kemi zgjedhur të jetojmë këtu, madje e diskutoj dhe me trajnerë të tjerë këtë vendim. Mua më pëlqejnë shumë lojtarët teknikë, më çmendin. Por Kombëtarja është e hapur. Jemi vazhdimisht duke u përmirësuar. Jemi në rrugën e duhur. Por nuk do të kemi kurrë një Shqipëri të Sylvinhos, është Shqipëria e vendit tuaj dhe e shqiptarëve. Shijojeni këtë Kombëtare, sepse besoj që dhe ju jeni krenarë për atë që kanë bërë lojtarët sot.

Lufta për të shkuar drejt Botërorit është shumë e vështirë dhe na vjen keq për faktin që nuk morëm tre pikë. Por ishte një ndeshje për të fituar, asnjë trajner nuk e përgatit ndeshjen për ta humbur. Kemi luajtur me tre sulmues, sepse ritheksoj që Hoxha nuk është një mbrojtës dhe as mesfushorë. Ishte një ndeshje thuajse e barabartë. Nëse do të kishte një fitues, padyshim që do ishim ne. Duhet në vazhdim të mbledhim pikë. Nuk kemi marrë as ne pikë, por as ata nuk morën më tepër. Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë edhe e fortë për t’u luajtur.

Ndeshja ishte shumë e barabartë, por ne ishim shumë më afër fitores, sepse kishim penalltinë. Çdo gjë e njëjtë, çdo gjë e barabartë”, tha Sylvinho pas ndeshjes.