Një atmosferë festive, entuziazëm i pafund dhe dashuri për futbollin karakterizuan aktivitetin e organizuar në kompleksin sportiv “Pepa”, ku 16 ekipe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë u bashkuan për të zhvilluar një turne mjaft të veçantë për grupmoshat U-9 dhe U-11.

Turneu solli emocione të mëdha për fëmijët, trajnerët dhe familjarët që kishin mbushur ambientet sportive për të mbështetur të vegjlit e tyre në këtë ngjarje që promovon sportin, shoqërinë dhe frymën e “fair-play”-t. Ndeshjet ishin të luftuara dhe plot pasion, duke dëshmuar për nivelin e mirë të punës me grupmoshat në shumë qytete të vendit.

Në fund, trofetë u fituan nga vendasit e Pepa në kategorinë U-9, ndërsa në grupmoshën U-11 triumfuan djemtë e Lushnja 1920, duke lënë pas një turne të mbushur me energji pozitive dhe momente të paharrueshme.

Një aktivitet që jo vetëm promovon talentet e reja, por edhe forcon bashkëpunimin dhe miqësinë mes klubeve të ndryshme në moshat e vogla, duke dëshmuar se e ardhmja e futbollit shqiptar nis pikërisht nga baza.

Në këtë turne dy ditor morën pjesë skuadrat e Pepës, KF Elbasanit, Lushnjes, Apolonisë, Football Rebublic, Junior Vlora, Turbina, Gramshi, Lapraka etj. Sakaq, aktivitete të kësaj natyre do të kthehen në traditë, duke lidhur ura bashkëpunimi mes shumë klubeve të vendit tonë, por me synimin që në të ardhmen të marrin pjesë edhe ekipe përtej kufijve.