Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ekspozon abuzime flagrante me fondet publike, punësime të pajustifikuara dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në shkelje të ligjit

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh dhe abuzimesh në Bashkinë e Elbasanit, duke e kthyer këtë institucion në një shembull tipik të menaxhimit klientelist e abuziv.KLSH ka publikur raportin e plotë të auditimit gjatë periudhës 11.09.2024-05.12.2024 me objekt: “Auditimin financiar dhe të përputhshmërisë në Bashkinë Elbasan” dhe mbuloi periudhën nga data 01.01.2023 deri më datë 31.12.2023.

Auditimi nxjerr në pah se bashkia, në vend që të fokusohet tek politikat sociale dhe shërbimet publike, është zhytur në punësime të panevojshme, tendera të dyshimtë dhe dhënie lejesh ndërtimi në kundërshtim me ligjin.

Në raport theksohet se Elbasani ka një numër të fryrë punonjësish, 481 të tillë për një popullsi prej 210 mijë banorësh, shumë më tepër se bashki të mëdha si Shkodra e Durrësi. Për më tepër, një pjesë e madhe e këtyre punësimeve nuk justifikohen me volum pune apo dokumente konkrete, duke e kthyer administratën në një skemë tipike punësimesh klienteliste. Nga drejtoria e auditit që prodhon vetëm një kontroll në vit, deri te arkiv-protokollet me pesë punonjës, shifrat flasin për një strukturë të fryrë dhe joefikase.

Punësime klienteliste, shkelje, afera me tenderët dhe lejet e

Abuzimet nuk ndalen këtu. Tenderët publikë janë zhvilluar në shkelje të hapur të ligjit. Në tre procedura të rëndësishme, rikonstruksioni i shkollës “Kostandin Kristoforidhi”, shkollës “Onufri” dhe asfaltimi i rrugëve në lagjen “5 Maji”, janë shpallur fituese kompani që nuk përmbushnin kriteret ligjore. Madje, auditimi evidenton mungesën e dokumenteve thelbësore si certifikatat e cilësisë së materialeve dhe testet laboratorike, duke lënë hapësirë për dyshime mbi cilësinë e punimeve.

Një tjetër gjetje e rëndë lidhet me lejet e ndërtimit, ku bashkia ka miratuar projekte shumëkatëshe me dokumentacion të paplotë dhe në disa raste në shkelje të rregulloreve urbanistike. Veçanërisht problematike është dhënia e një lejeje ndërtimi në lagjen “Dyli Haxhire”, ku bashkia ka pranuar më pak sipërfaqe banimi për fondin e banesave sociale se sa i takonte me ligj, duke i dhuruar privatit rreth 76 m2 që duhej të shkonin në shërbim të qytetarëve.

IMTV në Elbasan, që duhet të ishte garant i kontrollit mbi ndërtimet pa leje, rezulton po ashtu jofunksionale. Punësime të paligjshme, mosvendosje e gjobave sipas ligjit dhe mungesa e inspektimeve e kanë kthyer këtë strukturë në një institucion të paralizuar, pa asnjë efekt real në terren.

Raporti i KLSH është një akt-akuzë i plotë për mënyrën se si drejtohet Bashkia Elbasan; një përzierje e abuzimeve me fondet publike, punësimeve për militantë, tenderave të paracaktuar dhe lejeve të ndërtimit që favorizojnë privatët në dëm të qytetarëve. Në vend që të shërbejë si administratë e qytetarëve, Bashkia Elbasan duket të jetë kthyer në një aparat klientelist që ushqen interesat e ngushta të disa individëve.

Pyetja që lind është: a do të hetohet ky raport nga organet e drejtësisë, apo do të mbetet si dhjetëra auditime të tjera të KLSH që përfundojnë në sirtarë?

Pjesë nga raporti

Gjetje nga auditimi: Nga auditimi rezulton se për vitin 2022 në Bashkinë Elbasan janë konstatuar probleme në zbatimin e buxhetit vendor, si vijon:

– Shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë zënë peshën kryesore për 48 % ose 2,027 milion lekë ndaj shpenzimeve gjithsej prej 4,174 milion lekë, çka bën të domosdoshme përmirësimin e politikave sociale për të zbutur papunësinë dhe varfërinë.

– Shpenzimet për paga paraqiten të larta prej 900 milion lekë dhe zënë 21 % ndaj shpenzimeve gjithsej 4,174 milion lekë. Ndikim ka pasur numri i madh i të punësuarve prej 481 punonjës me 210 mijë banore, madje më i larte së bashkitë tjera që mbulojnë popullsi të njëjte brenda juridiksionit të tyre, konkretisht: Bashkia Shkoder paraqet 327 punonjes me 213 mijë banore dhe Bashkia Durres 378 punonjës me mbi 250 mijë banore. Gjithashtu paraqitet raport i zhdrejtë midis numrit punonjësve prej 418 veta me ngarkesën e punës tyre, për disa pozicione pune, pasi nuk justifikohen me dokumente dhe programe pune, konkretisht:

– Drejtoria e auditit përbehet nga 5 punonjës, të cilët kane kryer 7 auditime gjithsejtë ose rreth 1 auditim/ vit, çka tregon se audituesit nuk kane ngarkesën e duhur të punës.

– Drejtoria përgjithshme shërbimeve organizative përbehet nga 10 punonjës, ku 5 punonjës te ankimimit administrativ dhe përfaqësimit në gjykate përfaqësohet nga 5 veta, të cilët kane mbuluar 5 vendime gjyqësore për 2022 ose 1 vendim/punonjës.

– Drejtoria e administratës dhe burimeve njerëzore përbehet nga 11 punonjës, ku vetëm arkivprotokolli paraqet 5 punonjës.

– Drejtoria e aseteve dhe strehimit përbehet nga 9 punonjës, ku mbi 10,000 prona e asete brenda juridiksionit të Bashkisë nuk janë pajisur me certifikate pronësie.

– Drejtoria e politikave arsimit parashkollor, trashëgimisë kulturore, turizmit e sportit përbehet nga 25 punonjës, në një kohe që paralel funksionojnë ne vete njësite shpenzuese si Qendra Ekonomike Arsimit, Klubi Shumë sportesh, Qendra Artit dhe Trashëgimisë Kulturore.

– Shpenzimet operative janë realizuar 654 milion lekë dhe zënë 15 % ndaj totalit të shpenzimeve 4,174 milion lekë. Problem paraqet raporti i zhdrejte i shpenzimeve operative me shpenzimet për pagat, ose ne masën 73 %, çka tregon mungese efektiviteti, eficence dhe ekonomiciteti te shpenzimeve operative në funksion të aktivitetit kryesore Bashkisë. Ky tregues flet për një planifikim të pa studiuar, me rezerva dhe pa kriter në disa zëra. U konstatua 2 zëra shpenzimesh me peshë kryesore në shpenzimet operative, konkretisht:

– Shpenzimet e pastrimit zëne vendin e pare prej 18 % ndaj shpenzimeve operative gjithsej dhe janë realizuar 120 milion lekë nga 144 milion të planifikuara.

– Shpenzime për energjinë elektrike zëne vendin e dyte prej 15,2 % ndaj shpenzimeve operative dhe janë realizuar 100 milion lekë nga 124 milion të planifikuara.

Gjetje nga auditimi: Nga auditimi rezultoi se në 3 raste në procedurat e prokurimit publik janë kualifikuar dhe shpallur fitues operatorë ekonomikë, të cilët nuk plotësojë kriteret e vendosura në dokumentet e tenderit, në papajtueshmëri me legjislacionin e prokurimit publik, konkretisht si vijon:

-Në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi”, (rikonstruksion dhe shtesë anësore 4 kate dhe palestër)” me vlerë të fondit limit 130,818,929 lekë pa TVSh, zhvilluar në vitin 2022, është shpallur fitues shoqëria B.” ShPK me Nipt: K……..O” për të cilën është lidhur kontrata nr. 3938/8 prot., datë 12.10.2022 për vlerën 119,492,640 lekë pa TVSH dhe vlera 140,255,606 lekë me TVSH, dhe me afat 8 (tetë) muaj nga data e lidhjes së kontratës i cili nuk plotëson të gjitha kriteret e veçanta të DST, por është kualifikuar dhe shpallur fitues.

– Në procedurën e prokurimit me objekt “Sistemim asfaltim i rrugëve “Grigor Nosi”, “Xhafer Duhanxhiu”, “Hasan Kopili” në lagjen “5 Maji” me vlerë të fondit limit 46,518,160 lekë pa TVSh, zhvilluar në vitin 2022, është shpallur fitues shoqërisë “B.” Shpk, për të cilën është lidhur kontrata nr. 1288/6 prot datë 10.06.2022 për vlerën 43,635,704 lekë pa TVSH dhe vlera 52,362,845 lekë me TVSH, dhe me afat 3 (tre) muaj/deri më 10.09.2022 nga data e lidhjes së kontratës.

– Në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion, shtesë 4-kat dhe palestër Shkolla Artistie “Onufri” (e mesme e bashkuar) me vlerë të fondit limit 173,252,378 lekë pa TVSh zhvilluar në vitin 2022, është shpallur fitues shoqëria “E.” Shpk për të cilën është lidhur kontrata nr. 4305/6 prot., datë 26.10.2022 për vlerën 159,373,270 lekë pa TVSH dhe vlera 191,247,923 lekë me TVSH, dhe me afat 11 muaj, i cili nuk plotëson të gjitha kriteret e veçanta të DST, por është kualifikuar dhe shpallur fitues në kundërshtim me kërkesat e nenit 92, pika 3, nenit 99 pika 1 e ligjit Nr. 162, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik” si dhe VKM Nr. 285, datë 19.05.2021“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Gjetje nga auditimi: Nga auditimi i dosjeve teknike të zbatimit për objektet “Rikonstruksioni dhe ndërhyrje në linjën KUZ dhe ndërtimi i sheshit të parkimit të varrezat publike” dhe “Sistemim asfaltim i rrugëve “Grigor Nosi”, “Xhaferr Duhanxhiu”, “Hasan Kopili”, në lagjen “5 Maji” u konstatua mungesa e dokumenteve kryesorë teknik të zbatimit të punimeve të ndërtimit që vërteton kontrollin e cilësisë së punimeve, si certifikatat e cilësisë së materialeve të ndërtimit dhe testet laboratorike, mix design për betonet, veprime në kundërshtim me Udhëzim Nr.2, datë 13.5.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” kreu III, Dokumentacioni Teknik i Punimeve të Ndërtimit ku citohet: “.9.Në kantierin e punimeve krijohet e plotësohet gradualisht dosja teknike e objektit, ku sipas problematikës, mbahen: dh) Certifikatat e cilësisë të materialeve e të produkteve, testimet dhe rezultatet e tyre”

Gjetje nga auditimi: Nga auditimi rezultoi se miratimi i “Leje ndërtimi për ndërtim të ri me sipërfaqe më të madhe se 250 m2 ”, me nr. AN131020220037, për të cilën është marrë vendimi për miratim Nr. 2769/5 Prot; datë 07.12.2022, të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, për objektin “Prishje e objektit ekzistues dhe ndërtim i objektit me 4, 6, 8, 10, 11 dhe 12 kat me 2 kate parkim nëntokë”, me adresë në lagjen “Dyli Haxhire”, Bashkia Elbasan, me subjekt zhvillues z. D. S., është aplikuar gabim sipërfaqja prej 91.3 m2 për kalimin në favor të Bashkisë Elbasan 3% (tre përqind) të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale sipas Ligjit nr. 22/2018 “Për strehim social”, datë 03.05.2018.

Nga përllogaritja e grupit të auditimit, sipërfaqja takuese si kontribut i sektorit privat ndaj fondit publik të banesave sociale, rezulton të jetë 5564.32 m2 (sip. banim) * 0.03 = 166.93 m2. Bashkia Elbasan referuar akt marrëveshje me subjektin zhvillues z. D.S. ka përcaktuar si detyrim sipërfaqen prej 91.3 m2 me diferenc 75.63 m2 (166.91-91.3) banim që duhet të kaloj në favor të Bashkisë Elbasan. Sa më sipër veprimet dhe mosveprimet bien në kundërshtim me ligjin nr. 107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar si dhe V.K.M.-së nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar me V.K.M.-në nr. 271 datë 06.04.2016 “Për një ndryshim në V.K.M.-në nr. 408 datë 13.05.2015”, nenin 19 të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social’.

Gjetje nga auditimi: Nga auditimi i procedurave të miratimit të lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit u konstatua se në 3 (tre) raste, ka mangësi në dokumentacionin shoqërues dhe atë të kërkuar në ligj dhe rregullore. Më konkretisht, këto anomali janë konstatuar në rastet e mëposhtme:

– Leje ndërtimi për ndërtim të ri me sipërfaqe më të madhe se 250m2”, me nr. AN190220220018, për të cilën është marrë vendimi për miratim Nr. 2369/6 Prot; datë 25.08.2022, të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, për objektin “Godinë shërbimi 1 kat” me adresë “Katund i Ri”, Bashkia Elbasan, me subjekt zhvillues z. A. H. është shqyrtuar me afate të tej zgjatura prej 83 ditësh pune, nuk është kërkuar ose respektuar mendimi i autoriteteve që duhet të shprehen në lidhje me lejet e ndërtimit, Mungon projekti për instalimet e ngrohje – ftohjes dhe ventilimit (H-VAC), së bashku me dokumentacionin shoqërues, relacionin, vërtetimet e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, licencat profesionale, preventivin e punimeve, si dhe policën dhe deklaratën e përgjegjësisë profesionale, nuk respekton distancat urbane nga kufiri i pronës në fasadë lindore të objektit sipas përcaktimeve të Nenin 34 të VKM-së nr. 408, datë 13.5.2015, “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, i ndryshuar, pika 4. Distanca e miratuar e ndërtesës nga kufiri i pronës është 0.8 m (fasada lindore është kallkan), ndërsa distanca minimale e lejuar sipas dispozitave ligjore është 1 m, nuk zbaton përcaktimet për shfrytëzimin e territorit për rrugë dhe për hapësira publike. Sipas përcaktimeve të treguesve të zhvillimit për njësinë strukturore 1/180, referuar dokumentit të Planit të Përgjithshëm Vendor, Bashkia Elbasan, KSHR = 8% dhe KSHP = 8%, në këtë leje nuk ka asnjë parashikim për plotësimin e këtyre dy treguesve të zhvillimit si dhe nuk është në përputhje me përdorimin e lejuar të tokës për njësinë strukturore. Nga pasaporta e njësisë strukturore 1/180, pjesë e Planit të Përgjithshëm Vendor, Bashkia Elbasan, marrim informacionin se kjo njësi i përket sistemit urban (UB), kategori banim (85%) dhe shërbime(15%).Leje ndërtimi për ndërtim të ri me sipërfaqe më të madhe se 250m2, me nr. AN131020220037, për të cilën është marrë vendimi për miratim Nr. 2769/5 Prot; datë 07.12.2022, të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, për objektin “Prishje e objektit ekzistues dhe ndërtim i objektit me 4, 6, 8, 10, 11 dhe 12 kat me 2 kate parkim nëntokë”, me adresë në lagjen “Dyli Haxhire”, Bashkia Elbasan, me subjekt zhvillues z. D. S. nuk zbaton përcaktimet për shfrytëzimin e territorit për rrugë dhe për hapësira publike….

Gjetje nga auditimi: Nga auditimi mbi organizimin dhe funksionimin u konstatuan veprime dhe praktika jo efektive të IMTV Bashkia Elbasan si vijon:

I. Auditimi mbi vendimet e marra nga IMTV për prishjen e objekteve pa leje zhvillimi:

1.1 Nga auditimi i strukturës organizative të IMTV-së, u konstatua se në IMTV Bashkia Elbasan, para dhe përgjatë periudhës objekt auditimi, është punësuar staf në kundërshtim me nenin 11 të ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” i ndryshuar;

1.2 Nga verifikimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion, rezultoi se njësia e IMTV Bashkia Elbasan gjatë vitit 2022 nuk ka ushtruar funksionet e veta me një strukturë të plotë, konform akteve ligjore/nënligjore dhe të atyre rregullatore të bashkisë;

1.3 Nga auditimi u konstatua se vlera e masës së gjobës, nuk është vendosur konform përcaktimeve të ligjit nr. 119/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, në nenin 52, pika 1 germa (e),

1.4 Me mosangazhimin e IKMT për ekzekutimin e vendimeve të marra nga IMTV, është krijuar një periudhë e gjatë kohore inaktive. Nga ana e IMTV për këtë periudhë u konstatua se nuk është ushtruar ri-inspektim në objektet me “leje pezullimi” apo “Vendim prishje” në moszbatim të VKM nr. 894, datë 04.11.2015 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati kombëtar i mbrojtjes së territorit dhe ai i njësisë vendore” pika 1/b/iii;

1.5 Nga auditimi rezultoi se nuk ka një sistem elektronik për regjistrimin në kohë të akteve të përpiluara nga IMTV, për një bashkëpunim dhe administrimin me efektivitet të informacionit nga IKMT, Drejtoria e Taksave, Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të zhvillimit të territorit dhe Drejtoria Ligjore. Në mungesë edhe të mjeteve dhe makinerive të IMTV-së Bashkia Elbasan, ky sistem do të bënte të mundur hartimin e një plani efektiv nga IKMT për të ekzekutuar brenda një periudhe të afërt kohore vendimet e IMTV. /Pamfleti