Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të kësaj të diele në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën e Sukthit. Policia e Durrësit thekson se dy persona u përfshinë në një përplasje të armatosur me efektivët.

Grupi në fjalë, i cili përbëhej nga dy persona, raportohet se fillimisht vodhën një automjet dhe më pas përdorën atë për të kryer vjedhje me dhunë në një karburant në Sukth.

Gjatë ndjekjes nga Policia, dy autorët hapën zjarr ndaj shërbimeve të Policisë dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, njëri prej tyre mbeti i plagosur.Autori tjetër, pas rezistencës me armë ndaj shërbimeve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga. Autoritetet policore sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe disa fishekë.

POLICIA TREGON DINAMIKËN E NGJARJES:

Rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, te “Çifligu” në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros.

Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi  28 vjeçar, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Personi tjetër, 27 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, pasi bëri rezistencë me armë ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, u neutralizua dhe u kap nga shërbimet e Policisë Durrës.

Gjatë veprimeve të Policisë së Durrësit, kanë ardhur në mbështetje edhe forcat e Policisë së DVP Tiranë.

Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur./abcnews.al