Zjarri i rënë në pyllin me pisha në zonën e hidrovorit në fshatin Akërni të Vlorës vijon ende aktiv edhe këtë mëngjes.
Që prej orës 05:00, forcat zjarrfikëse dhe ato të Forcave të Armatosura janë rikthyer në terren për të luftuar flakët, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Një ditë më parë, situata u përshkallëzua në nivel kritik, pasi erërat e forta favorizuan përhapjen e zjarrit në zona të gjera, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen vetëm me mjete tokësore. Edhe terreni i vështirë i zonës ka penguar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke e rënduar situatën.
Për herë të parë në këtë vatër u angazhua edhe ndërhyrja ajrore. Në vendngjarje mbërritën katër helikopterë, dy të Forcave të Armatosura shqiptare dhe dy të tjerë të dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët asistuan në përpjekjet për shuarjen e flakëve nga ajri.
Autoritetet janë ende në terren dhe theksojnë se mbajtja nën kontroll e zjarrit është prioritet, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet i lartë për shkak të sipërfaqes së madhe të pyllit dhe kushteve atmosferike.