Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, priti sot në një takim misionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga Massimiliano Paolucci, menaxher i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri.
Në fokus të bisedës ishte projekti “Qëndrueshmëria Klimatike dhe Zhvillimi i Bujqësisë” në Shqipëri, i cili po jep një shtysë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit dhe integrimin e teknologjive moderne.
Ky projekt synon përmirësimin e zinxhirit ushqimor nga ferma në tavolinë, rritjen e vlerës së produkteve bujqësore, forcimin e sigurisë ushqimore dhe garantimin e sistemeve moderne të vaditjes dhe kullimit.
Palët diskutuan gjithashtu orientimet dhe masat që duhen ndërmarrë për avancimin e projektit, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme, në përputhje me vizionin “Bujqësia 2030”, ku fermeri mbetet në qendër të politikave për zhvillimin rural të qëndrueshëm.
“Diskutuam orientimet dhe masat e nevojshme për avancimin e projektit dhe për arritjen e rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme, për t’i dhënë hov vizionit tonë për “Bujqësia 2030″, ku fermeri mbetet në qendër të politikave dhe zhvillimit rural të qëndrueshëm”, deklaroi ministri Salla.