Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.
Në një konferencë për media, Osmani tha se sot zhvilloi takime edhe me krerët e partive të tjera më të mëdha, të cilët i thanë se nuk dëshirojnë të propozojnë mandatar.Ajo tha se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.
Sipas Osmanit, në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thuhet se nëse pas dy tentimeve nuk zgjidhet Qeveria e Kosovës, “atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”.
“Është interes i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëhen çdo përpjekje të mundshme që të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në të mirë të qytetarëve”, tha Osmani, duke përmendur votimin e zgjatjeve buxhetore apo edhe të një buxheti të ri për vitin 2026, të ratifikohen marrëveshje ndërkombëtare.
“Si presidente kam vlerësuar se është në interes të Kosovës të provohet, të krijohet Qeveria, që këto vendime të mos presin edhe disa muaj të tjerë”, tha Osmani.






