Presidenti amerikan Donald Trump shfaqet i rezervuar, për momentin, për një sulm të mundshëm ushtarak kundër Iranit.

Shtëpia e Bardhë po konsultohet me aleatët për kohën dhe pasojat e një operacioni të tillë.

Shqetësimi kryesor është nëse një goditje ndaj Teheranit mund të çojë në destabilizim real të regjimit iranian apo në kundërpërgjigje të gjera rajonale.

Sipas pesë burimeve amerikane, izraelite dhe arabe, të cituara nga Axios, opsioni ushtarak mbetet ende mbi tavolinë.

Vendimi i presidentit amerikan për të “ngrirë” përkohësisht “shtypjen e butonit” ka nxjerrë në pah shqetësim të fortë si brenda qeverisë amerikane ashtu edhe midis aleatëve, nëse një sulm kundër Teheranit do të provokonte njëkohësisht hakmarrje në shkallë të gjerë.

Ndërkohë që Trump po shqyrton edhe rrugë diplomatike, ushtria amerikane ka nisur të largojë personelin nga disa baza në Lindjen e Mesme dhe po forcon praninë e saj në rajon, duke dërguar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln dhe grupin shoqërues të goditjes.

Edhe pse një sulm nuk konsiderohet i afërt, një burim amerikan tha për Axios se “të gjithë e dinë se presidenti e mban gishtin mbi buton”.

Rezervat e Izraelit

Në 48 orët e fundit, edhe zyrtarë izraelitë kanë shprehur rezerva serioze. Kryeministri Benjamin Netanyahu komunikoi me Trump të mërkurën, duke kërkuar më shumë kohë që Izraeli të përgatitet për një kundërpërgjigje të mundshme iraniane, sipas raportimit të The New York Times.

Një burim izraelit vlerësoi se plani aktual amerikan, që parashikon goditje ndaj objektivave të forcave të sigurisë iraniane, nuk është mjaftueshëm i fortë për të destabilizuar realisht regjimin.

Trump ka deklaruar disa herë se do të ndërmarrë veprime ushtarake nëse regjimi iranian vazhdon të vrasë protestuesit që prej javësh janë përfshirë në një kryengritje kundër qeverisë. Në një postim të tij shkroi: “Ndihma po vjen”, duke u bërë thirrje qytetarëve iranianë të marrin kontrollin e institucioneve shtetërore.

Sipas vlerësimeve, mijëra protestues janë vrarë, ndërsa autoritetet iraniane kanë kufizuar ndjeshëm aksesin në internet dhe komunikime.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se 800 ekzekutime të planifikuara janë pezulluar pas presionit të Trump. Vetë presidenti tha se ishte informuar “nga një burim i besueshëm” se “vrasjet në Iran po ndalen”. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi për Fox News se nuk ka plane për varje të protestuesve.

Pavarësisht këtyre deklaratave, Teherani mbylli hapësirën ajrore për disa orë të mërkurën në mbrëmje, nga frika e një sulmi amerikan. Burime arabe theksuan se SHBA po “rishikon situatën”, ndërsa zyrtarë vlerësojnë se retorika publike e Uashingtonit synon të ushtrojë presion psikologjik ndaj Iranit.

“Presidenti nuk përjashton asnjë opsion, tani apo në të ardhmen”, tha një burim amerikan, duke shtuar se është ende herët për të folur për de-përshkallëzim.

Të martën, Trump u takua me këshilltarët kryesorë të sigurisë kombëtare pa marrë një vendim përfundimtar. Ndërkohë, SHBA dhe Izraeli mbeten në koordinim të ngushtë, ndërsa Uashingtoni po rrit presionin me sanksione të reja, duke synuar edhe figura të afërta me udhëheqësin suprem Ali Khamenei.

Burime amerikane theksojnë se Trump mbetet i hapur ndaj diplomacisë, por kërkon një angazhim të drejtpërdrejtë nga udhëheqja iraniane se një marrëveshje serioze është e mundur.