Bllokimi i rrugës Pogradec-Librazhd ka sjellë rënie maksimale të turizmit në gjithë juglindjen e vendit, aq sa në dy javët e fundit operatorët turistikë bëjnë të ditur se hotelet dhe bujtinat kanë qenë bosh.
Paniku i operatorëve turistikë lidhet me zgjatjen e bllokimit të rrugës, pasi kjo ka sjellë anulime të rezervimeve nga turistët vendas, por frika më e madhe është anulimi i rezervimeve nga agjenci turistike me turistë të huaj.
“Fundjava që kaluam shënoi shifra rekord negative, dy bujtinat nuk patën asnjë dhomë. Rruga është e njohur, pasojat po ndihen. Frika është e madhe, është tmerr. Ta imagjinosh që po përgatitemi për sezonin turistik, nuk diskutohet vetëm turizmi vendas, por edhe turizmi i huaj, agjencitë mund të bëjnë anulime”, u shpreh operatori turistik, Edi Bilo.
Ndërkohë, një tjetër operatore, Eriketa Kocollari, tha se pas bllokimit të aksit ka pasur anulime masive të rezervimeve.
“Dy javët e fundit turizmi ka qenë pothuajse inekzistent, me anulime masive. Na shqetësojnë festat e marsit sepse po shohim anulime, frika është e madhe dhe vetë klientët japin si motivacion rrugën e bllokuar. Gjithë anulimet kanë qenë nga klientë vendas, por kemi edhe njerëz nga Bullgaria dhe Greqia që kanë anuluar”, u shpreh ajo.
Bllokimi i kësaj rruge ka prekur rezervime jo vetëm në Pogradec, por edhe në fshatrat turistike të Voskopojës dhe Dardhës.






