Tensione ndërkombëtare në Iran, nuk lënë pa prekur edhe Kupën e Botës 2026, turneun e parë historik që do të organizohet në tre vende: Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksika.
Operacioni ushtarak i SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi pjesëmarrjen e përfaqësueses iraniane, e cila ka në kalendar dy ndeshje të fazës së grupeve në Los Angeles dhe një në Seattle. Nga Teherani vijnë sinjale pasigurie, ndërsa drejtuesit sportivë theksojnë se vendimi përfundimtar do të merret në ditët në vijim.
Ndërkohë, FIFA po monitoron nga afër situatën. Sekretari i përgjithshëm Mattias Grafström, në kuadër të mbledhjes së International Football Association Board në Cardiff, deklaroi se objektivi mbetet zhvillimi i një Botërori të sigurt me pjesëmarrjen e të gjitha skuadrave.
Në Grupin G, Irani pritet të përballet me Belgjika, Zelanda e Re dhe Egjipti, por situata gjeopolitike mund të ndikojë drejtpërdrejt në skenarin sportiv.
Shqetësime ka edhe në Meksikë për çështje sigurie, ndërsa zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë sjellë pezullime aktivitetesh në Katar. Në këtë klimë pasigurie, edhe “finalissima” e 27 marsit mes Spanjës dhe Argjentinës rrezikon shtyrjen.
Ndërkohë sulmuesi i kombëtares shqiptare, Jasir Asani i cili luan me skuadrën iraniane Esteghal FC, nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Instagram, ka qetësuar tifozët duke theksuar se është mire: ‘Përshëndetje! Jam mirë dhe shpresoj që edhe ju të jeni mirë, të jeni të sigurt dhe të lumtur në vendin tuaj të bukur. Shpresoj që shpejt gjithçka të kthehet në normalitet dhe se ka paqe për të gjithë’-shkruan Asani.
Futbolli global pret me ankth, ndërsa numërimi mbrapsht drejt Botërorit vazhdon mes sfidash që shkojnë përtej fushës së lojës.
© BalkanWeb






