Mediat greke njoftuan të hënën se Alpha Bank në Greqi ka vendosur të nxjerrë në shitje filialin e saj në Shqipëri.
Drejtuesit ekzekutivë e kanë motivuar këtë vendim me ristrukturimin e operacioneve ndërkombëtare të bankës. Strategjia përfshin shitjen e filialit në Shqipëri dhe të atij në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa parashikohet që grupi bankar grek të vazhdojë të mbajë bankat e veta në Rumani dhe Qipro. Ky vendim është marrë mbështetur në përfitueshmërinë e aktivitetit të secilës bankë. Me sa duket, për Shqipërinë kjo përfitueshmëri është cilësuar e pamjaftueshme, ndërsa grupi ka konstatuar ecuri pozitive të aktivitetit në Rumani, me rritje domethënëse të aktivitetit dhe të përfitueshmërisë.
Në fund të vitit të kaluar, Alpha Bank e transferoi pronësinë e bankave të saj në rajon në një shoqëri të re holding, Alpha International Holdings Single Member S.A.
Megjithatë, mbështetur në raportimet e mediave greke, vendimi i Alpha Bank ka shkaktuar shqetësim te qeveria greke, që ka kërkuar shpjegime prej bankës lidhur me këtë vendim. Ato citojnë burime nga ministria e jashtme greke dhe kabineti i Kryeministrit të vendit, që janë shprehuar të shqetësuara për ndikimin që ky vendim mund të ketë për praninë ekonomike dhe ndikimin e Greqisë në Shqipëri.
Qeveria greke e shqetësuar
“Qeveria greke është shumë e shqetësuar pas vendimit të Alpha Bank për të vazhduar me shitjen e filialit të saj në Shqipëri, pasi çështja konsiderohet veçanërisht e rëndësishme në lidhje me përparësitë e politikës së jashtme të vendit, si dhe me marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë”, raporton businessdaily.gr.
Reagime të ngjashme kanë shfaqur edhe kompani greke me aktivitet në Shqipëri, edhe për faktin se Alpha është banka e fundit greke e ngelur në tregun shqiptar.
Pesha e Alpha bank
Në fund të marsit 2021, Alpha Bank – Shqipëri zotëronte 4.9% të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 79 miliardë lekësh. Ndër bankat greke, Alpha ishte ajo që u prek më pak nga pasojat e krizës dhe në vitet e fundit ka shfaqur një ecuri të qëndrueshme, me rezultate financiare pozitive, ndonëse jo shumë të mëdha. Për vitin 2020, Alpha Bank – Shqipëri arriti një fitim prej 218 milionë lekësh dhe një kthim nga kapitali në nivelin 6.34%.
Alpha, banka e fundit me kapital grek e mbetur në vend
Bankat me kapital grek shënuan një zgjerim të shpejtë në Shqipëri, pas viteve 2000. Në vitin 2008, katër bankat me kapital grek (NBG, Tirana Bank, Alpha dhe Emporiki) zinin gati 28% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Edhe më i lartë ishte roli i tyre në kredidhënie, me gati 41% të totalit.
Por, pas 2008-s, bankat greke filluan uljen e ekspozimit të tyre në tregun shqiptar. Emporiki kaloi nën pronësinë e francezes Credit Agricole (pasi kjo e fundit shiti Credit Agricole në Greqi dhe mbajti vetëm degët në Ballkan- tashmë zotërohet nga Abi bank), ndërsa tre bankat e tjera ngadalësuan ndjeshëm rritjen, në raport me sistemin.
Pas shpërthimit të krizës, grupet bankare greke vendosën të shisnin shumicën e filialeve të tyre ndërkombëtare, me qëllim forcimin dhe konsolidimin e aktivitetit të tyre në Greqi.
Në vitin 2018, Banka Kombëtare e Greqisë (NBG) e shiti filialin e saj shqiptar te Banka Amerikane e Investimeve, ndërsa një vit më vonë Grupi i Pireut mbylli shitjen e Tirana Bank te grupi shqiptar i biznesit Balfin.
Pretendentët
Burime nga tregu bankar pohuan se ka një interes të lartë për blerjen e Alpha bank. Disa banka në vend po e shqyrtojnë këtë mundësi, mes tyre edhe banka lokale dhe disa nga më të mëdhatë. Blerësi do të jetë ai që do të ofrojë çmimin më të lartë.