Gjashtë persona janë arrestuar në Vlorë si pjesë e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë.
Sipas njoftimit zyrtar, grupi dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e krimeve kundër personit dhe në trafikun e lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë 6 shtetas, mes tyre dy persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, i dënuar më parë për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Po ashtu, u kap edhe autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të ndodhur dy ditë më parë në Vlorë, si dhe një tjetër person i shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për përfshirje në të njëjtën ngjarje dhe vepra të tjera penale.
Gjatë operacionit, i zhvilluar në një lokal në fshatin Vranisht, u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1.850 euro dhe 3 automjete, mes tyre edhe një automjet i blinduar.






