Nëntë punëtorë humbën jetën pasi një grumbull gjigant mbeturinash u shemb në një impiant për djegien e mbetjeve në shtetin Pune, në Indinë perëndimore, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm.

Sipas kompanisë Antony Waste Handling Cell, aksidenti ndodhi të mërkurën e kaluar, kur një mal me mbeturina të destinuara për djegie dhe prodhim energjie elektrike u shemb mbi një ndërtesë brenda impiantit.

Nga 23 punëtorët që mbetën të bllokuar nën mbeturina, nëntë u nxorën pa shenja jete. Tre persona të tjerë vazhdojnë të jenë të shtruar në spital, ndërsa pjesa tjetër u shpëtua gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit

Kompania bëri të ditur se aksidenti u shkaktua nga reshjet e pandërprera, të cilat destabilizuan miliona ton mbeturina dhe shkaktuan dëme të mëdha strukturore në ndërtesën e impiantit.

Pas ngjarjes, aktiviteti në uzinë është pezulluar deri në një njoftim të dytë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut janë fenomene të shpeshta në Indi gjatë sezonit të musoneve. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale po rrisin intensitetin dhe shpeshtësinë e këtyre fatkeqësive natyrore.

GEAM Sh.p.k