Gjykata e Posaçme ka vendosur të zgjasë me tre muaj hetimet për vrasjen e të riut Renis Dobra, duke pranuar kërkesën e SPAK për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore ndaj tre vëllezërve Aleksandër, Kristi dhe Fation Bushgjokaj, si dhe Petrit Çakrit.

SPAK ka kërkuar kohë shtesë deri në muajin tetor, me argumentin se nevojitet përfundimi i disa akteve të ekspertimit, mes tyre verifikimi i telefonave dhe analizimi i mbivendosjeve të gjurmëve papilare.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme është kundërshtuar nga avokati Erjon Kullolli, mbrojtësi ligjor i Fation Bushgjokajt. Sipas tij, hetimet duhet të kishin përfunduar më herët dhe veprimet proceduriale të kërkuara nga SPAK mund të ishin kryer gjatë periudhës së kaluar.

Mbrojtja ka ngritur gjithashtu pretendime se deri në këtë fazë hetimore nuk janë argumentuar mjaftueshëm akuzat për veprën penale të “Rrëmbimit” dhe lidhjen e saj me një grup të strukturuar kriminal.

Avokati i Bushgjokajt ka kundërshtuar edhe masën e sigurisë “arrest në burg”, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme të argumentojë përse kjo masë konsiderohet më e përshtatshmja për rastin.Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i caktuar nga gjykata për Petrit Çakrin e ka lënë çështjen në vlerësimin e trupës gjyqësore.

Të katër të arrestuarit dyshohen për përfshirje në vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2025.

Dy seanca më parë, në sallën e Gjykatës së Posaçme pati edhe një përplasje fizike mes tre vëllezërve Bushgjokaj dhe të dyshuarit tjetër, Petrit Çakri. Konflikti nisi pasi Çakri i përfshiu ata në ngjarjen e vrasjes së të riut gjatë procesit gjyqësor.

GEAM Sh.p.k