Shtyrja e orës policore nga 22 në 23 ka ngjallur pakënaqësi tek të gjithë.
“Është e pa vend, jemi në Verë duam të dalim, nuk duhet izolim”.
Ekspertët e shohin zhgënjyes vendimin e Komitetit, në një kohë që argumentojnë se situata epidemiologjike është e qetë.
“Një farë zhgënjimi është sepse situata epidemiologjike është tejet e qetë, rastet janë 14 për 100 mijë ndërkohë që Spanja sot e ka 140 pra 10-fish më lart dhe orën e kufizimit e ka në 12 të natës. Duhet të shohim dhe shpërndarjen që i përkasin zonave të largëta ndërkohë që orari i kufizimit prek më shume bashkitë e mëdha dhe Tirana specifikisht që duket që është relativish të pastër”.
Për industrinë e turizmit, baret e restorantet, Shqipëria e humbi rastin që të shpallej të paktat vendet “Covid free” në botë dhe e hapur 24 orë, çka do të ishte reklama më e mire për këtë sezon. Kufizimi, thonë operatorët turistikë, shkakton dëme të mëdha.
“Masat kufizuese kanë kthyer industrinë turistike në një turn e gjysmë, lejimi i aktiviteteve të paktën deri në 12 do ishte masa më reale, mendojmë se muzika e kufizuar deri në 10 është prapë masë kufizuese”.
Shqipëria mbyllet në orën 23:00 si Italia, ndonëse Italia pati një ditë më parë 4147 raste dhe 171 viktima, ndërsa vendi ynë vetëm 20 dhe asnjë viktimë. Zvicra i ka hequr kufizimet edhe pse pati 996 raste të reja. Greqia e nis kufizimin 30 minuta pas mesnate dhe e mbyll në orën 5 të mëngjesit, por ajo pati 1876 raste të enjten.
Në rajon, Mali i Zi, një konkurrent i drejtpërdrejte për turizmin, i ka hequr kufizimet tërësisht ndonëse shënoi 54 të infektuar një ditë më parë. Por hapja e vendit është bërë për të ofruar sa më shumë turistë të huaj, të cilët kanë nisur që tani t’i frekuentojnë plazhet e tij apo të prenotojnë për muajt e ardhshëm.
Nisur nga shifrat, Kryetari i Shoqatës së hoteleri turizmit, thotë se edhe Shqipëria duhet të ishte hapur, pasi kufizimet pengojnë ardhjen e turistëve, sepse ata mund të zgjedhin vendet fqinjë që s’kanë me kufizime apo i kanë lehtësuar më shumë se Shqipëria.
“Duhet të ketë masa me liberalizuese pasi është ndryshe të hapësh kufirin por duhet të bësh dhe lobing që vende të ndryshme ta frekuentojnë Shqipërinë”.
Përfaqësues të biznesit thonë se orari i kufizuar prek të gjitha bizneset dhe ekonominë e vendit dhe mbajtja e vendit mbyllur nuk legjitimohet teksa shifrat janë afër zeros.