Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar fushatën për zgjedhjet e partisë në Mat e Bulqizë. Ai e ka konsideruar një maskër zgjedhore atë se çfarë ndodhi më 25 Prill.
“Padiskutim, ju demokratët e Matit, demokratët e Shqipërisë Partia Demokratike u fut në këtë proces e vetëdijshme që po futej në një proces të pabarabartë. Një betejë që nuk kishte asnjë lidhje me rregullat e demokracisë. Ne u futëm në një betejë, përballë një kundërshtari politik i cili e trajtoi procesin zgjedhor si një masakër elektorale të përgatitur në detaje nga momenti i parë deri në momentin e fundit. I cili përdori kundër qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti demokratëve të gjithë arsenalin e shtetit, të buxhetit, të parave të korrupsionit, të bandave kriminale dhe të favoreve tjera të cilat ju i dini fare mirë dhe nuk ka nevojë t’i rreshtoj këtu, që nga tolerimi me kusht i rritjes së bimëve narkotike, tek tolerimi me kusht i ndërtimeve pa leje, tek legalizimet për vota, tek blerja e mjerimit që ka mbjellë në sofrat Matjane për një grusht parash e gjithçka tjetër. Po kështu shoh në sytë tuaj zemëratën për këtë padrejtësi që në fakt nuk iu është bërë vetëm demokratëve por Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por kjo zemëratë duhet të jetë dhe burim i forcës tonë. Mund të themi se pavarësisht të gjithë asaj që ka ndodhur, shkrirjes së shtetit me partinë, siç e thotë edhe raporti paraprak i OSBE-ODIHR, roli i krimit të organizuar, që dyfishoi numrin e kriminelëve në parlament, ku u hoq një Tom erdhën tre Toma, u hoq një Aqif, erdhën dy Aqifa e kështu me radhë. Ku mbetën tre të pandehurit e dosjes 339, të cilët mbajnë peng negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e kështu me radhë”, tha Basha.
Basha tha se është mirënjohës ndaj demokratëve. Ai u kërkoi që të vazhdojë përballjen përballë regjimit.
“Keni qëndruar në krahun tim në shumë prej këtyre betejave, në një 8-vjeçar të mbushur me sfida po ku ne nuk jemi zvarritur, as kemi bërë kompromis me të keqen, përkundrazi jemi përballur. Lidershipi im nuk ka qenë lidership kriminelësh, ka qenë një lidership sakrificash. Ndaj, këtu dua të ndalem për një çast dhe t’ju siguroj që nuk ka fjalë në fjalorin e pasur të gjuhës shqipe që mund të shprehë përmasat e vërteta të mirënjohjes që ndjej në shpirtin tim për sakrificën tuaj si dhe t’ju them se për këtë sakrificë dhe vetëmohim, sa të kem frymë, nuk do të resht të bëj asgjë në dorën time, nuk do të lë asgjë pa bërë derisa çdo pikë djerse e sakrificës tuaj, të shpërblehet. Por me përgjegjësinë që na kanë dhënë shqiptarët, me përgjegjësinë që na kanë ngarkuar demokratët kudo që ndodhen, atë për të sjellë ndryshimin, jam këtu për t’ju kërkuar ndihmën tuaj. Jam këtu për t’ju kërkuar ta vazhdojmë bashkë këtë përballje, ta vazhdojmë bashkë këtë betejë! Natyrisht, të vetëdijshëm se sa më shumë duhet të bëjmë, duke u nisur nga unë dhe sa më shumë të bëjmë, aq më shpejt do t’ia shkurtojmë ditën regjimit”, u shpreh Basha.
Në Bulqizë, kreu në detyrë i demokratëve u shpreh se dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin, fitore të Ramës dhe jo një masakër zgjedhore, mund të japë shkak një përçarjeje të re në gjirin e PD. Ka qenë edhe kjo arsyeja sipas tij pse i ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të vazhdojë beteja pasi nëse ata mendojnë se Rama i ka fituar zgjedhjet, ai jep dorëheqje.
“Disavantazhi është që pas kësaj qëndrese të gjatë, ku kemi faktuar vendosmërinë tonë, dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin, fitore të Ramës dhe jo një masakër zgjedhore, mund të japë shkak një përçarjeje të re në gjirin tonë dhe këtë ne nuk mund ta lejojmë. Kjo është arsyeja se pse në Këshillin Kombëtar, siç e dinë anëtarët e Këshillit Kombëtar ishin këtu, para se të niste ky proces, i bëra një thirrje: “Ndani mendjen, është masakër zgjedhore apo është fitore e Edi Ramës, se në qoftë se nuk është masakër zgjedhore, por është fitore e Edi Ramës, kjo punë nuk bëhet kështu.” Atëherë, unë e jap dorëheqjen këtu, në këtë moment. Por në qoftë se jemi të gjithë, siç jemi dëshmitarë se kjo është masakër zgjedhore e një regjimi, atëherë ejani të vazhdojmë betejën deri në fund drejt një stacioni final që është rrëzimi regjimit që është fitorja e demokracisë dhe e Partisë Demokratike”, tha Basha.