Një 71-vjecar kërkoi ndihmën e Policisë së Tiranës, pasi familja e tij u godit me armë gjatë mesnatës. Sulmi i armatosur me kallashnikov ndodhi në zonën e Farkës, aty ku dhe u regjistrua më pas denoncimi.
Bëhet me dije, sipas burimit zyrtar të GazetaSi.al, se shtetasi Shyqëri Badini u paraqit në polici pas sulmit në shtëpinë private ku jeton në Lundër.
“Persona të paidentifikuar qëlluan me armë fasadën e shtëpisë”, – deklaroi shkurt Badini. Policia tha se nga këqyrja e jashtme u konstatuan 12 vrima tejshpuese në murin e jashtëm.
Ndërkohë që njëri nga ekspertët kriminalistë, shtoi se në total u sekuestruan si prova 23 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, që pas veprimeve të para u përcollën për verifikime të mëtejshme në laboratorin e policisë shkencore.
“Nuk kemi asnjë të dyshuar, nuk kemi konflikt me askënd dhe asnjë mosmarrëveshje”, – deklaroi në polici 71- vjeçari. Të njëjtën pistë e mbështetën edhe anëtarët e tjerë të familjes, të cilët kanë ngritur supet duke këmbëngulur se nuk kanë asnjë ide se kush mund të jetë autori apo autorët.
Në dëshminë e dorëzuar nga i moshuari, tregohet se si në banesën private të familjes Badini gjendeshin të gjithë anëtarët, përfshi edhe minorenë.
“Ishim në shtëpi, unë gruaja, nusja e djalit dhe dy fëmijët, njëri 11 vjeç dhe tjetri 12 vjeç. Djali, ishte në punë, pasi punonte turni i tretë në një biznes privat. Ne ishim në gjumë, – thotë i moshuari, – dhe dëgjova në mesnatë ca krisma. Mendova se po ndodhte diçka diku larg, ndaj nuk dola fare nga banesa”.
Policia shkruan në procesverbalin e marrjes në pyetje, duke përshkruar se si breshëritë ishin pa shkëputje. Sipas burimit të policisë, familja e kishte mësuar sulmin në mëngjes, atëherë kur është kthyer djali i shtëpisë.
“Rreth orës 7 të mëngjesit, vjen djali dhe më pyeti çfarë janë këto? Aty pashë dhe kuptova që krismat që dëgjova kishin qenë plumba për ne”, – thekson 71-vjeçari
Burimet tregojnë se pasi shënuan procedimin për prodhim dhe mbajtje municionesh dhe kanosje të të gjithë anëtarëve të familjes, nënvizojnë detaje nga dëshmia e kryefamiljarit.
“Ne si familje nuk kemi konflikt me asnjë person në lagje dhe me farefisin nuk kemi pasur asnjë kërcënim deri më sot. As unë dhe as familjarët e mi në dijeninë time”, – shton banori i Lundrës.
Megjithatë, ai thotë se më shumë se një vit e gjysmë më parë, ka pasur konflikt me dy nipat për pronësinë e tokës, por me kalimin e kohës debatet ishin sqaruar dhe po ashtu mos marrëveshjet kishin marrë fund.