Minishteti i vogël i San Marinos ka filluar të tërheqë turistët duke i ofruar këtyre të fundit vaksinën ruse kundër Covid Sputnik V që e kanë pasur të vështirë ta gjejnë në vendet e tyre të origjinës.
Shteti i tretë më i vogël i Europës pas Vatikanit dhe Monakos e filloi këtë skemë muajin e kaluar dhe deri më tani ka ofruar pak më shumë se 250 doza.
Skema po ndihmon sektorin e turizmit e San Marinos të dalë nga një rënie e shkaktuar nga pandemia, por nuk i ofrohet banorëve të Italisë, të cilët e rrethojnë këtë minishtet nga të gjitha anët.
Igor Pershin, një rus që jeton në Republikën Çeke, udhëtoi në San Marino me gruan e tij dhe qëndroi në Hotel IDesign pasi dëgjoi për këtë skemë në një prej kanaleve televizive ruse.
“Në Republikën Çeke, është e vështirë të vaksinohesh, veçanërisht për të huajt, tha Pershin. Unë vetëm doja të merrja vaksinën Sputnik, ndaj vendosa të shkoj në San Marino”, tha ai. Ky minishtet nuk është një anëtar i BE-së dhe Sputnik V nuk është miratuar ende për përdorim në bllokun prej 27 vendesh.
Kjo vaksinë është nën shqyrtim nga rregullatori i BE-së, Agjencia Europiane e Barnave.
Përveç kostove të hotelit, çmimi për dy doza të vaksinës është rreth 50 euro. “Ne kemi ardhur këtu nga Gjermania sepse duam të vaksinohemi me Sputnik V dhe sepse në Gjermani ata nuk na kanë caktuar ende një takim”, tha Gioele Cozzolino. Vizitorët zakonisht qëndrojnë ne hotel tre ditë si për dozën e parë ashtu edhe për të dytën.
“Pasi vizitori ka mbërritur në hotelin tonë, qëndron këtu për tre ditë. Një ditë pas mbërritjes së tij ne e shoqërojmë atë për të marrë dozën e parë, dhe pastaj ai kthehet pas 21 ditësh për dozën e dytë”, tha Francesco Brigante, Drejtori i Hotel IDesign. Ky minishtet prej 61 km2 filloi të përdorë Sputnik në shkurt dhe deri më tani ka vaksinuar 25,000 banorë të popullsisë së tij prej 34,000 banorësh në total.
Fakti që një vend i pasur si San Marino ka filluar të përdorë vaksinat si një mjet për të tërhequr turistë dhe për të rritur ekonominë e tij, në një kohë kur shumë kombe në të gjithë botën janë të dëshpëruar që të fillojnë procesin e bërjes së vaksinave për popullatat e tyre, do ta thellojë akoma edhe më shumë hendekun e pabarazisë globale të vaksinave.
Disa nga kombet më të varfra në të gjithë botën mezi kanë arritur të vaksinojnë një pjesë shumë të ulët të popullsisë së tyre dhe për këtë arsye Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka kritikuar kombet më të pasura të botës për sigurimin e pjesës më të madhe të furnizimit global të vaksinave.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se për muajin prill, raporti i njerëzve që kishin arritur të merrin një dozë të vaksinës në vendet e pasura me ato të varfra ishte 1 me 4 për vendet e pasura dhe 1 me 500 në ato të varfëra.