Të dëgjuarit muzikë ose një ‘podcast’ mund të jetë forma juaj e preferuar e kujdesit ndaj vetes. Sidoqoftë, ky mund të mos jetë veprimi më i mirë për dëgjimin tuaj!
Sipas analizave dhe studimeve të fundit, nivelet e larta të zhurmës mund të ndikojnë në humbjen e dëgjimit në të ardhmen.
Fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit (e rinj në moshë) mund të jenë veçanërisht të rrezikuar nëse ata dëgjojnë shpesh shumë orë muzikë në ditë, në vëllime që tejkalojnë kufirin e shëndetit publik prej 70 decibel (dB) të ekspozimit mesatar të zhurmës ditore, që rekomandohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA, shkruan HealthLine.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 50% njerëzve të moshës 12 deri 35 vjeç rrezikojnë të humbin dëgjimin për shkak të ekspozimit të zgjatur dhe të tepruar ndaj tingujve të fortë, të tilla si muzika e dëgjuar përmes pajisjeve personale audio.
“Unë mendoj se në një nivel më të gjerë, komunitetet mjekësore dhe audiologjike, si dhe publiku i gjerë, nuk e kuptojnë se humbja e konsiderueshme e dëgjimit nuk është pjesë e plakjes normale të shëndetshme, por përfaqëson kryesisht humbjen e dëgjimit të shkaktuar nga zhurma”, shprehet për Healthline dr. Daniel Fink.
Ai e krahason këtë keqkuptim me keqkuptimin se rrudhat e thella dhe pigmentimi i lëkurës janë pjesë e plakjes normale, ndërsa ato kryesisht përfaqësojnë dëme nga rrezet UV të diellit.
“Në mënyrë të ngjashme, pa ekspozim ndaj zhurmës së fortë, ne duhet të jemi në gjendje të dëgjojmë mirë deri në pleqëri”
Kontrolloni rregullisht dëgjimin tuaj
Nëse jeni mbi moshën 50 vjeç ose jeni të ekspozuar ndaj zhurmës në nivele të pasigurta, mjekët rekomandojnë që të bëni çdo ditë një kontroll.
Nëse jeni në një moshë tjetër, por gjithsesi mendoni se keni probleme – kontrolloni menjëherë dëgjimin tuaj te një mjek.