Gjykata Kushtetuese, përmes një deklarate për mediat, ka sqaruar vendimin që ka marrë për tiu drejtuar Komisionit të Venecias, për opinion mbi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të vitit 2019.

Sipas GJK objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies.

Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj të fundit për mediet, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur”, thuhet mes të tjerave në njoftim.

NJOFTIMI I PLOTË I KUSHTETUESES: 

Gjykata Kushtetuese ka ndjekur diskutimet që ka ngjallur vendimmarrja e saj e datës 23.06.2021 për të kërkuar amicus curia nga Komisioni i Venecies për shqyrtimin e çështjes mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019.

Gjykata Kushtetuese, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë sa më poshtë vijon.

Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi.

Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument.

Gjykata Kushtetuese i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecies, si një organ i specializuar i Këshillit të Evropës me ekspertizë të thelluar në të drejtën kushtetuese dhe me një kontribut të çmuar në veprimtarinë e kësaj Gjykate në çështjet me rëndësi të veçantë.

Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë.

Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj të fundit për mediet, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur.

Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj.

fax