MAJLINDA RAMA/ Mbi kreun e Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie të arrestuar një ditë më parë nga Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rëndon akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Bëhet fjalë për një tender prej 24 milionë lekësh të rinj për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj të Njësisë Administrative Kolonjë. Tenderi për këtë vepër është hapur më 23 korrik të vitit 2020 me një fond limit prej 23 251 341.00 lekësh, me procedurë të hapur. Sipas të dhënave të tenderit, i cili është mbyllur në fund të muajit gusht të vitit të shkuar, në garë kanë marrë pjesë tri kompani, përfshirë edhe kompaninë “Euro Alb SHPK”, me pronar Bujar Muratin.
Kompania e Muratit u shpall fituese e tenderit në fjalë me fondin limit të vënë në dispozicion nga qeverisja vendore e Bashkisë Lushnjë. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, sipas SPAK, kompania “Euro Alb SHPK” arriti të fitojë tenderin e Bashkisë, i ndihmuar edhe nga zyrtarët lokalë. Kompania është themeluar në Bulqizë në vitin 2006 dhe ka një kapital prej 55 milionë lekësh të rinj, ndërsa aktiviteti i saj është në fushën e ndërtimit.
Në krye të skemës së abuzimit ishte Flamur Peqini, drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe ish-kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnjë, si dhe zyrtarët nën varësi të tij. Nga përgjimet, vëzhgimet në terren dhe kontrollet e transaksioneve, ka rezultuar që zyrtarët e këtij institucioni, paratë e tenderëve i kalonin në mënyrë fiktive te kompanitë private. “Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me metodat tradicionale të hetimit”, thuhet në një deklaratë të SPAK.
Përveç pronarit të kompanisë “Euro Alb SHPK”, Bujar Murati, në pranga përfundoi edhe biznesmeni Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti shpk”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim. Kompania në fjalë, sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e ka bazën në zonën e FushëKrujës dhe është themeluar në vitin 2003. Sipas ekstraktit në QKR, ajo merret me ushtrimin e veprimtarisë tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë të një sërë mallrash përfshirë edhe grumbullimin e bimëve mjekësore. Ndërsa ende nuk dihen akuzat konkrete që rëndojnë mbi të. Tushe është një ndër zyrtarët më të lartë në detyrë të arrestuar deri më tani nga SPAK.
NGA ATENTATI ME BOMBË NË VITIN 2019, TEK ARRESTIMI. KUSH ËSHTË KRYEBASHKIAKU QË U SULMUA ME GRANATË NË ZYRË
Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i arrestuar një ditë më parë me urdhër të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, drejton prej katër mandatesh këtë bashki. Ai u zgjodh për herë të parë në 2007-ën, për t’u tërhequr përkohësisht dy vite më vonë, duke lënë mandatin e kryebashkiakut dhe duke marrë atë të deputetit nën siglën e Partisë Socialiste. Në vitin 2011 Tushe dha dorëheqjen për t’u zgjedhur sërish kryetar bashkie në të njëjtin qytet, mandat që e ka vazhduar deri më tani. Në vitin 2019 ndaj Tushes u organizua një atentat me bombë brenda zyrave të Bashkisë nga ish-shoferi i tij. Atë ditë ai pritej të dilte në një konferencë për shtyp për të paraqitur bilancet e qeverisjes vendore. Si pasojë e granatës së hedhur në zyrën e tij nga ishshoferi, Gëzim Saraçi, mbeti i plagosur Tushe dhe sekretarja Erisa Qalliu.
“Sot, rreth orës 09:00, në zyrën e kryetarit të Bashkisë Lushnjë dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar kryetari i Bashkisë, shtetasi F. T. dhe sekretarja e Bashkisë, shtetasja E. Q., të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i kryetarit të Bashkisë, shtetasi G. S., i cili pasi ka hedhur granatën, është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë”, sqaronte Policia në atë kohë.
Të dy u dërguan në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar mjekësor. Tushe arriti të mbijetonte pa dëmtime të mëdha, duke lënë spitalin brenda pak ditësh, ndërsa sekretarja pësoi dëmtime më të mëdha, por fatmirësisht arriti të mbijetonte. Kryebashkiaku nuk foli asnjëherë publikisht për ngjarjen e rëndë. Saraçi arriti të largohej, duke mos u arrestuar nga Policia sot e asaj dite. Policia e Shtetit vendosi një shumë prej 1 milion lekësh shpërblim për kapjen e tij. Policia zhvilloi kontrolle të shumta për të arrestuar Saraçin pak ditë pas ngjarjes, që u tha se fshihej në qarkun e Beratit.
Për arrestimin e tij u vunë në lëvizje Forcat Speciale RENEA, FNSH-ja e Fierit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, por pa mundur ta arrestojnë. Saraçi ishte pushuar nga puna në vitin 2017 si shofer i kryetarit të Bashkisë, por pavarësisht kësaj, ai vazhdonte të merrte rrogën. Në media qarkulluan atëherë informacione se Saraçi e shantazhonte kryebashkiakun me video, përmbajtja e të cilave nuk u bë asnjëherë publike. Një tjetër version ishte edhe një borxh i pashlyer që kryebashkiaku i kishte shoferit të tij, megjithëse ngjarja nuk pati asnjëherë një epilog të qartë.
panorama