MARIGLEN KUME/ Që nga data 19 qershor në selinë blu kanë mbërritur disa propozime për ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike.
Burime nga Partia Demokratike konfirmuan për gazetën “Panorama.al” se përveç propozimeve publike të ish-kandidatit për kryetar partie, Fatbardh Kadilli, në selinë blu kanë mbërritur edhe propozime të tjera nga anëtarë të thjeshtë të PD-së jo shumë të njohur për publikun.
Propozimet e tyre nuk bëhen publike, por mësohet se kërkesat kryesore të tyre lidhen me rritjen e demokracisë brenda PD-së. Një pikë tjetër që kërkojnë ata është ligjërimi i krijimit të fraksioneve brenda Partisë Demokratike.
Nëse një gjë e tillë do të ishte e ligjëruar aktualisht, atëherë mund të kishim disa fraksione si ai i Bardh Kadillit, Bujar Nishanit apo ai i Agron Shehajt. Këta të fundit ishin kandidatë direkt për kryetar të PDsë ose mbështetën publikisht kandidatura si në rastin e Nishanit. Ndërkohë, anëtarët e thjeshtë që kanë bërë propozimet për ndryshime në statut duket se janë të pakënaqur edhe me forumet brenda PD-së. Mësohet se ata kanë kërkuar forume më shumë përfaqësuese.
Por ndonëse kanë kaluar tri javë nga formimi i komisionit të përhershëm për ndryshimet statutore me 9 anëtarë dhe 3 sekretarë dhe në zyrat e PDsë ndodhen tashmë disa drafte me propozime, ky komision nuk është mbledhur asnjëherë për t’i marrë në shqyrtim. Kujtojmë që në 17 korrik mblidhet Kuvendi Kombëtar, ku një ndër pikat e rendit të ditës është edhe ndryshimi i mundshëm i statutit.
DRAFTI PUBLIK
Ndërsa nga selia qendrore e PD-së nuk bëhen publike propozimet, një nga hartuesit i bëri vetë publike ditën që i depozitoi në PD. Propozimet e bëra nga Fatbardh Kadilli janë shkëputur nga manifesti i tij politik që ai i propozoi demokratëve gjatë fushatës për kreun e PDsë.
Në vizionin e tij që e ka pasqyruar në letër, Kadilli ka tri çështje kryesore. Anëtari i Kryesisë së PD-së në propozimet e tij e vesh kryetarin e partisë me më shumë pushtet sesa ka aktualisht de juro. Kadilli thotë se kryetari i Partisë merret vetëm me çështjet politike.
Ndryshe nga sa është tani, ku Kryesia e PD-së zgjidhet nga Këshilli Kombëtar, sipas Kadillit, Kryesia e PD-së, kryesia e Grupit Parlamentar, anëtarët e komisioneve, zgjidhen nga kryetari i partisë.
“Kryetari është drejtuesi politik i partisë; kryetari krijon Kabinetin Qeveritar / në opozitë kabinetin në hije; kryetari emëron drejtuesit / përfaqësuesit e Partisë në Komisionet Parlamentare; kryetari emëron drejtuesit e Grupit Parlamentar; kryetari emëron kabinetin e këshilltarëve të tij, si dhe ngre zyra politike që ndihmojnë atë në kryerjen e funksioneve të drejtimit të partisë; Kryesia e partisë përbëhet nga: Kabineti Qeveritar hije, nga Kryesia e Grupit Parlamentar dhe nga Drejtuesit / përfaqësuesit në komisionet e përhershme parlamentare (e gjithë kryesia është e zgjedhur automatikisht nga kryetari dhe secili kryen funksionet që i janë caktuar)”, thotë Kadilli, ndërsa shton se gjatë rrugës kreu i PD-së, sipas vizionit të tij, nëse një ministër në hije nuk performon në rregull, mund të shkarkohet.
Duke i dhënë këtë pushtet, Kadilli propozon që mandati i vetë kryetarit të varet nga rezultati në zgjedhjet parlamentare.
“Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katërvjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve; kryetari i partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës”, thuhet në propozimet e Kadillit.
Ndërkohë, kandidatët për deputetë apo për kryetar bashkie duhet të zgjidhen me parimin “një anëtar, një votë”, sipas Kadillit.
Duke qenë se sistemi në Shqipëri është proporcional rajonal, Kadilli thotë se anëtarët e PD-së në çdo zonë të administrimit zgjedhor duhet të zgjedhin kandidatin e tyre për deputet që duhet të jetë pjesë e listës finale.
Ndërsa kandidatin për kryetar bashkie duhet ta zgjedhin demokratët e anëtarësuar të secilës bashki. E ndërsa kryetari i partisë krijon kabinetin në hije, sipas skemës së Kadillit, duhet të ekzistojë edhe një këshill për administrimin e partisë.
Ndaj ai propozon krijimin e këshillit të të urtëve me mandat 6- vjeçar, që të kujdesen për respektimin e të drejtave statutore, përditësimin e databazave të partisë etj.
Këshilli i të urtëve, sipas tij, duhet të përbëhet nga figura të rëndësishme të PD-së që janë tërhequr nga jeta politike aktive.
panorama