MARINGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i mandatuar edhe për 4 vitet e ardhshme në krye të selisë blu, ka depozituar 11 propozime për ndërhyrje në Statutin e Partisë Demokratike.
Propozimet e kreut të selisë blu kanë natyrë rregulluese të statutit aktual. Kështu, kreu i PD-së mendon që të njëjtën metodë që ndoqi në 2020-ën me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të aplikojë edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkish. Sipas ndryshimeve që pritet të ndodhin, kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së.
Pas konsultimit me anëtarësinë, kandidaturat për organe ekzekutive të pushtetit vendor propozohen nga kryetari i Partisë, caktohen nga kryesia e PDSH-së dhe lista e plotë miratohet nga Këshilli Kombëtar. Kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore. Kryesia e PDSH-së duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidatëve dhe ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme.
Përjashtimisht për bashkitë që janë qendër qarku lista e këshilltarëve propozohet nga kryesia e degës dhe miratohet nga kryetari i Partisë. “Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së. Pas konsultimit me anëtarësinë, kandidaturat për organe ekzekutive të pushtetit vendor propozohen nga kryetari i partisë, caktohen nga kryesia e PDSH-së dhe lista e plotë miratohet nga Këshilli Kombëtar. Kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore.
Kryesia e PDSH-së duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidatëve dhe ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme. Përjashtimisht për bashkitë qendër qarku, lista e këshilltarëve propozohet nga kryesia e degës dhe miratohet nga kryetari i partisë”, thuhet në pikën 3 të nenit 12 të statutit të PD-së.
ZGJERIMI I KRYESISË
Po ashtu, kryedemokrati Basha synon që ta sanksionojë në ligjin funksional të brendshëm të PD-së edhe përbërjen e kryesisë së saj. Sipas Bashës, përveç 15 anëtarëve të kryesisë, të cilët zgjidhen nga Këshilli Kombëtar, të jenë edhe sekretarët, zëdhënësi i partisë apo edhe nënkryetarët. Ajo që kryedemokrati kërkon të fusë rishtazi është kryetari i Bordit Financiar, i Komisionit Zgjedhor dhe i Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. “Kryesia e PDSH-së ndjek dhe siguron zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar.
Kryesia vendos për të gjitha çështjet që nuk janë e drejtë ekskluzive sipas këtij statuti e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, si dhe miraton marrëveshjet politike. Kryesia e PDSH-së drejtohet nga kryetari i partisë dhe ka në përbërje edhe: Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, sekretarët funksionalë, kryetarin e Këshillit Kombëtar, kryetarët e organizatave partnere, kryetarin e Bordit Financiar, e Komisionit Zgjedhor dhe Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës”, thuhet në nenin 45 të statutit të PD-së që propozon Basha.
DREJTUESIT POLITIKË
Një tjetër propozim i kryedemokratit Basha është që t’u caktojë një mandat më të hershëm drejtuesve politikë në qarqe dhe këta të jenë drejtues të një këshilli koordinues të qarkut. “Është shtuar si strukturë vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga drejtuesi politik i qarkut, që emërohet nga kryetari i Partisë. Kjo do të jetë një strukturë e përhershme me përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtarisë politike të PDSH-së në nivel qarku”, thuhet në shpjegimin e kryedemokratit. Ndërkohë, edhe Këshilli Kombëtar do të ketë më shumë angazhim sipas kryedemokratit Basha. Në varësi të formimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ata do të angazhohen në departamentet e strukturave të PD-së dhe do të jenë përgjegjës për hartimin e platformave apo strategjive elektorale.
ZBULOHET VENDI KU DO MBLIDHET KUVENDI KOMBËTAR I PD
Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike do të zhvillohet ditën e shtunë, në orën 10:30, në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Detajet bëhen të ditura nga sekretariati organizativ i PD-së, i cili në një mesazh drejtuar anëtarësisë, u kërkon atyre të jenë prezentë dhe të pajisen me kartë identiteti. “I nderuar anëtar i Kuvendit Kombëtar të PD-së, ju njoftojmë se mbledhja e Kuvendit do të zhvillohet ditën e shtunë, datë 17.07.2021, ora 10:30, në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Ju lutemi të jeni prezentë dhe me vete të keni kartën tuaj të identitetit. Sekretariati organizativ i Partisë”, thuhet në mesazhin e shpërndarë dje.
HARXHI: PD ÇALON NGA MOSZBATIMI I STATUTIT
Ish-kandidatja për kryetare të PD-së, Edit Harxhi, reagoi dje pasi Komisioni për Statutin në PD miratoi propozimet e kryetarit, Lulzim Basha, duke hedhur poshtë propozimet e tjera. Teksa iu drejtua anëtarëve të këtij Komisioni, Harxhi shkruan se ata janë po aq bashkëfajtorë për shkatërrimin e PD-së sa Lulzim Basha. Sipas saj, Partia Demokratike nuk çalon nga statuti, por nga moszbatimi i rregullave. Harxhi i qëndron mendimit të saj, se Lulzim Basha duhet të ishte larguar pas 4 humbjesh me radhë. “Ju them se jeni po aq bashkëfajtorë sa Lulzim Basha për shkatërrimin e PD-së.
Mund të kishit zgjedhur të mos bëheshin ndryshime statutore, sepse PD-ja nuk çalon nga statuti dhe rregullat, por nga moszbatimi i tyre, shmangia e përgjegjësive dhe nga shmangia e parimeve bazë mbi të cilat është krijuar. Po si mund të pranoni ju një kryetar në detyrë humbës, pas katër humbjesh seriale, kur e ka lënë opozitën dhe vendin pa opozitë dhe jashtë të gjitha pushteteve qendrore dhe vendore, sepse mendonte se kështu mund të negocionte më lirshëm me Kryeministrin në detyrë për hallet dhe fitimet e tij? Përgjegjësia politike nuk mund të ketë parashikim statutor, pasi varet nga morali në politikë, por në mungesë të këtij të fundit, nuk mund të shkatërrohet gjithë organizata politike”, shkruan Harxhi.
I RRËZUAN PROPOZIMET, KADILLI: KOMISIONI KAPËRCEU KOMPETENCAT
Ish-kandidati për kryetar të PD-së Fatbardh Kadilli reagoi pasi Komisioni për Ndryshimet Statutore i rrëzoi propozimet e tij dje në mbledhjen që zgjati më shumë se dy orë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Kadilli shkroi se Komisioni kaloi kompetencat dhe se ai ka për detyrë që të japë një mendim dhe jo që të rrëzojë propozimet. Kadilli sqaron se propozimet, që siç ai thotë burojnë nga manifesti politik për ringritjen e PD-së, i paraqiti për dhënie opinioni. Fatbardh Kadilli thotë se vendimi i marrë dje dëshmon vijimësinë e mosreflektimit për nevojën, që sipas tij, ka PD për të ndryshuar thellësisht në mënyrë që t’u përgjigjet sfidave që ka përballë opozita.
“Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim. Propozimet e mia, që burojnë nga manifesti politik për ringritjen e PD-së, ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet. Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mosreflektimit”, shkroi Kadilli.
panorama