Auditi i brendshëm i qeverisë, nëpërmjet 18 treguesve të performancës së veprimeve me Thesarin e shtetit, e renditi Ministrinë e Brendshme si me korrekten gjatë vitit 2020, ndërsa Ministrinë e Jashtme e renditi më dobët.
Vlerësimet u bënë duke marrë në konsideratë realizimin e shpenzimeve buxhetore, dërgimin e faturave në kohë në Thesar, hartimin e planeve të veprimit, dërgimin në thesar të faturave të detyrimeve të prapambetura, dërgimi në kohë i kontratave në Thesar, numri i urdhër prokurimeve të paautorizuara etj.
Nga 72 pikë të mundshme, Ministria e Brendshme mori 63 pikë, sipas vlerësimit të auditit të qeverisë. Ministra e Financave u rendit e dyta për pikët më të larta, me 61 nga 72 të mundshme. E treta për pikët më larta ishte Ministria e Infrastrukturës me 57 pikë nga 72 që duhet të merrte gjithsej për një vlerësim të lartë.
Në anën tjetër, Ministria e Jashtme mori vlerësimin më të dobët me vetëm 39.5 pikë nga 72 gjithsej. Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta për vlerësimin më të keq me vetëm 49 pikë dhe Ministria e Kulturës me vetëm 53 pikë.
Nga 11 njësitë shpenzuese që kanë buxhet të madh, Garda e Republikës mori vlerësimin më të lartë për veprimet me Thesarin në vitin 2020 me 63 pikë nga 72 gjithsej, e ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me 57 pikë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me 55 pikë.
Në anën tjetër të renditjes, Autoriteti Rrugor Shqiptar mori renditjen më të ulët për veprimet me Thesarin në vitin 2020 me 39 pikë gjithsej nga 72 të tilla dhe më pas Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me vetëm 45 pikë dhe Agjencia e Kombëtare e Ujësjellësve me 57.5 pikë.
Drejtoria e Përgjithshme e Kontrollit Financiar në Ministrinë e Financave ka lëshuar disa rekomandime ndaj ministrive mE të cilat kërkon përmirësimin e sistemeve që lidhen me hartimin e regjistrit të aseteve, hartimin e regjistrit të rreziqeve, hartimin dhe miratimin e gjurmëve të auditimit për proceset e punës, rritjen e cilësisë së planifikimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit, ruajtjen e aseteve, etj.
Për institucionet me buxhet të madh, numri më i madh i rekomandimeve u dha për QSUT, DPT, DPD, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Spitalin Universitar të Traumës, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
Gjatë vitit 2020 u kryen vetëm 926 auditime kundrejt 1070 të planifikuara ose 87% të planit vjetor si rrjedhojë e kufizimeve që krijoi pandemia. Nga auditimet u identifikuan 9238 shkelje, devijime dhe dobësi në sistemet e prokurimit publik, menaxhimit të aseteve, sistemi i tatim-taksave, regjimin doganor, administrimi i pronës publike, legalizimet dhe privatizimet e pronës shtetërore, koncesionet dhe Partneriteti Publik Privat si dhe sisteme te menaxhimit të burimeve njerëzore me një vlerë dëmi rreth 10 mln euro.
Në auditimet e ushtruara gjatë vitit 2020 janë dhënë 7940 rekomandime për përmirësim sistemi, ndryshime të kuadrit rregullator dhe masa organizative dhe të qeverisjes dhe janë pranuar 7889 rekomandime, nga të cilat 4137 janë zbatuar plotësisht dhe 2957 janë në proces zbatimi./monitor