Çmimet e frutave dhe perimeve janë rritur në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit, pa u ndalur as nga kriza e nxitur nga Covid-19. Ekspertët e fushës e argumentojnë këtë shtrenjtim të çmimeve me kufizimet e vendosura për të parandaluar pandeminë vitin e kaluar, ku pavarësisht se sektori i bujqësisë nuk u prek direkt, pati kosto të shtuara për transportin, inputet bujqësore dhe vështirësi në gjetjen e krahut të punës.
Megjithatë, të dhënat e INSTAT zbulojnë se rritja nuk ka nisur me zbarkimin e virusit, por ka qenë një trend i vazhdueshëm vitet e fundit, duke i bërë ushqimet thuajse produktin e vetëm që shtrenjtohej në treg.
Kjo shpjegohet me gjetjen e tregjeve të huaja për produktet bujqësore shqiptare. Ky trend ka vijuar edhe në gjysmën e parë të këtij viti, ku eksportet e produkteve vegjetale u rritën me 9% duke kapur vlerën e 9,9 miliardë lekëve, apo rreth 82 milionë eurove.
Për rrjedhojë fermerët preferojnë që prodhimin e tyre ta shesin me një çmim më të shtrenjtë jashtë vendit dhe një pjesë më e vogël për konsumatorët shqiptarë.
Efekti ndihet edhe në tregjet e shitjes me shumicë, si ai i Lushnjës, ku pjesa dërrmuese e prodhimeve kanë këtë vit një çmim ndjeshëm më të lartë krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje rrjedh më pas zinxhir tek stendat e shitësve, që shprehen se janë detyruar të ulin marzhin e fitimit për të mos humbur klientelën. Kjo pasi 38% e shqiptarëve shprehen në anketën për nivelin e jetesës të realizuar nga Bashkimi Europian, se nuk blejnë fruta për të kursyer para.
A2