Importet e drithërave u kthyen në normalitet në gjysmën e parë të vitit 2021 pas mbi-furnizimeve të vitit 2020, kur frika për një izolim të gjashtë shteroi rezervat e grurit dhe miellit në vend.
Sipas të dhënave nga tregtia e jashtme, importet e drithërave arritën në 4.9 miliardë lekë në janar-qershor 2021 me një rënie mbi 33 për qind në raport me vitin 2020 dhe 1.4 % në raport me vitin normal 2019.
Burimet nga tregu pohuan se, shitjet janë kthyer në normalitet këtë vit, pas mbi furnizimeve të vitit të kaluar, ku importi i drithërave shënoi rekorde jo vetëm në Shqipëri edhe në botë,
I mbarë globi u përball me një përvojë të panjohur të 100 viteve të fundit dhe frika për izolime të gjata shtyu njerëzit të të blejnë ushqime të përpunuara në sasi të mëdha, ndër to edhe miell. Duke qenë se në Shqipëri konsumi i brumërave, sidomos bukës, është i lartë në krahasim me vendet e tjera, pati një kërkesë të pazakontë për miell gjatë periudhë mars -prill të vitit 2020.
Për shkak të kërkesës së lartë, çmimet e drithërave pësuan rritje në të gjithë botën gjatë pandemisë. Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare në maj të vitit aktual një ton grurë u listua me 229 dollarë me një rritje mbi 14 % në raport me prillin 2021. Çmimi arriti kulmin në prill të vitit 2020 kur e gjitha bota ishte në masa izoluese, me mbi 258 dollarë për ton.
Rritja e çmimeve në bursa u reflektua edhe në vendin tonë. Që nga fillimi i pandemisë çmimi i një kilogrami miell u rrit 15-20% për kategori të ndryshme.https://central.gjirafa.com/renderer.html?v=1.1
Një kilogram miell i zakonshëm për bukë, i paketuar në supermarkete, tani po shitet me 75 lekë nga 65 lekë që ishte më parë.
Prodhuesi më i madh i grurit në botë, Rusia, në mes të marsit të vitit 2020 kufizoi kuotat e eksportit në vetëm 7 milionë tonë për këtë vit, duke ndikuar edhe në një rritje të çmimeve.
Prodhimet e grurit nuk janë ndikuar nga pandemia, por vendet që zotërojnë prodhimin më të lartë janë duke e shfrytëzuar situatën për gjeopolitike dhe për të realizuar fitime gjithashtu. Kjo sjellje e prodhuesve të mëdhenj të grurit është nxitur nga rritja e kërkesës për furnizime të mëdha nga vende të tilla si Italia, Turqia, etj. gjatë pandemisë.
Shqipëria realizon thuajse 90% të totalit të importeve të drithërave nga Rusia dhe Serbia. Nga Rusia vijnë rreth 55% e totalit të importeve të drithërave dhe pjesa tjetër mbi 35% vijnë nga Serbia.
Me të dy këto vende, importet e drithërave janë rritur vitet e fundit për shkak të çmimit më të lartë, por shpesh cilësia është e diskutueshme për nivelin e pamjaftueshëm të proteinave./Monitor