Prej disa muajsh qendrat e mëdha në vend janë përballur me problematika në grumbullimin e mbetjeve. Pas skandalit mjedisor në Fier, bashkia e Durrësit u gjend në një kolaps menaxhimin, ndërsa së fundmi dhe ajo e Kavajës po i detyron banorët e saj të bashkëjetojnë me erën e rëndë, pirgjet e plehrave që dergjen apo digjen pranë zonave të banuara.

Ndërsa bashkia e Kavajës ka gjetur një zgjidhje ‘sa për të larë gojën’, duke pastruar vetëm qendrën e qytetit dhe duke lënë rrethinat në ndotje të lartë mjedisore, i vetmi reagim që ka ardhur në këtë situatë delikate ka qenë ambasada gjermane e cila së pari ka vënë theksin tek emergjenca mjedisore jo vetëm në Shqipëri.

Nëpërmjet shembullit personal, Gjermania apelon dhe për ndjekjen e të njëjtës strategji dhe në Shqipëri duke vënë theksin dhe tek dhjetëra projekte që ky shtet ka financuar për tranzicionin tonë të gjelbër.

Reagimi i ambasadës gjermane:
Një ngarkesë kamioni në minutë: Sipas ekspertëve, kjo është sasia e mbeturinave plastike që përfundojnë në detet tona, me pasoja dramatike për diversitetin biologjik: peshqit dhe zogjtë ngordhin. Gjermania ka marrë masa për të zvogëluar mbetjet e veta plastike, mbështet ndalimin në mbarë BE-në të produkteve me një përdorim dhe është e angazhuar për të ndaluar ndotjen e deteve.

Gjermania mbështet Shqipërinë përmes GIZ-së dhe KfW-së në tranzicionin e saj të gjelbër: Në Vlorë, Himarë dhe Sarandë tashmë ka projekte të bashkëpunimit gjermano-shqiptarë për ndërtimin e një landfilli të ri. Në Cërrik, Belsh, Rroskovec dhe Peqin po punohet për përmirësimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve. Gjithsej 123.000 banorë tashmë po përfitojnë nga përmirësimi i sektorit të përpunimit të mbetjeve. Rreth 9.000 njerëz patën për herë të parë akses në grumbullimin e rregullt të mbetjeve. Në të ardhmen, materialet e riciklueshme do të ndahen dhe përpunohen, në vend që të përfundojnë në det.

fax