Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme një 44-vjeçar të dënuar brend dhe jashtë vendit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
44-vjeçari rezulton me katër identitete të ndryshme, si Eugen Vasili alias Eugen Lici alias Genti Goxhaj alias Gentjan Goxhaj.
Ai rezulton i dënuar me 4 vjet e 9 muaj burg në Milano dhe 2 vjet e 5 muaj në Tiranë, ndërkohë që bëhet me dije se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Njoftimi i plotë i policisë: Tiranë
Vijon puna për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ndalohet 44-vjeçari i dënuar jashtë dhe brenda vendit, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Interpol Tirana, bënë kapjen dhe ekzekutimin e vendimit për shtetasin në kërkim Eugen Vasili alias Eugen Lici alias Genti Goxhaj alias Gentjan Goxhaj, 44 vjeç, banues në Tiranë.
Këtë shtetas, Prokuroria e Milanos e ka dënuar me 4 vjet e 9 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu, ky vendim është njohur dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila ka vendosur se pas ekzekutimit të këtij vendimi, këtij shtetasi i mbeten për të vuajtur edhe 2 vjet e 5 muaj burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.