Në orën 07:00 të mëngjesit sot ka nisur heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.
Për shkak të pandemisë COVID-19, fushata u realizua kryesisht në rrjete sociale dhe me tubime të vogla me qytetarë ku situatë e njëjtë ishte pothuajse në 38 komunat e vendit.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është 5364 kandidatë, nga ta 166 kandidatë janë për kryetarë të komunave dhe 5198 kandidatë për kuvende komunale, shkruan Klan Kosova.
Mbi 3,500 policë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë do të angazhohen për të mbrojtur votën dhe vetë qytetarët.
Kreshnik Radoniqi, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha të premten se përgatitjet vijojnë prej katër muajsh.
KQZ-ja e Kosovës ka bërë kërkesë që të shtunën dhe të dielën të pezullohet urdhri i qeverisë për orarin policor, për t’i dhënë mundësi lëvizjeje stafit të saj, vëzhguesve dhe komisionerëve.
Në konferencën e përbashkët, Policia dhe Prokuroria thanë se kanë krijuar mekanizmat për të ruajtur rendin dhe votën e lirë të çdo qytetari të Kosovës.
Kosova ka 1 milion e 885 mijë votues të cilëve u është kërkuar të vendosin politikisht për kryetarët e komunave dhe për kuvendet komunale.
Kandidatët në komunat e mëdha sivjet e kanë fokusuar fushatën zgjedhore te premtimet për më shumë investime në infrastrukturë dhe shëndetësi, dhe më të përgjithshme mbeten zotimet për mbështetjen e ekonomisë, bizneseve, të rinjve dhe sportit e kulturës.
Sondazhet e fundit të publikut në kryekomunën e Prishtinës nxjerrin si favorit ish-ministrin e Shëndetësisë dhe kandidatin e Vetëvendosjes, Arben Vitia, ndërsa rivalët e tij janë Urain Ismaili dhe Përparim Rama nga PDK-ja dhe LDK-ja./Ora News/