Vetingu i Politikanëve është nisma e re të cilës shumë shpejt publiku shqiptar do të fillojë t’i shohë rezultatet, në një vend si Shqipëria ku nevoja për të zhdukur korrupsionin dhe lidhjet me krimin është ulëritëse në çdo fushë.

Vetingu i Politikanëve është nisma më e re e Partisë Demokratike, e cila i është dorëzuar kuvendit dhe që pritet të pastrojë politikën shqiptare nga politikanët dhe zyrtarët e korruptuar, që do të funksionojë njëlloj si Vetingu në drejtësi, pra hetimin bazuar në 3 shtylla: Pastërtia e figurës, backgroundi dhe deklarimi i pasurirsë.

Mirëpo duke qenë se heton nivel të lartë zyrtarësh siç janë politikanët, ky Veting ka disa specifika të saj.

Shkallët që vendosin për fatin e një politikani:

SPAK krijon një strukturë prej 6 prokurorësh të cilët do të verifikojnë të gjithë politikanët dhe të dalin në përfundim nëse duhet të shkarkohet apo të lihet në detyrë.
GJKKO. Një gjykatës i zgjedhur me short shqyrton kërkesën e SPAK për shkarkimin nga detyra ose konfirmimin në detyrë të politikanit dhe është pikërisht GJKKO organi që vendos përfundimisht për të gjithë ata qëë i nënshtrohen Vetingut të politikanëve.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar i përbërë nga 6 deputetë (3 nga opozita dhe 3 nga mazhoranca) është organi që mund të apelojë vendimin për konfirmimin në detyrë të politikanëve.
Funksionari publik ka të drejtë të apelojë vendimin e shkarkimit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shkalla e fundit ku shqyrtohet një vendim shkarkimi është Gjykata Kushtetuese, verdikti i së cilës hyn menjëherë në fuqi.
Një funksionar publik që është në detyrë i nënshtrohet një vetingu të përkohshëm që vlen 3 vite, ndërsa për një funksionar që do të marrë detyrën për herë të parë vetingu është i përhershëm.

Në rast se për funksionarin publik gjenden lidhje me krimin apo pasuri e pajustifikuar, atëherë ai shkarkohet automatikisht dhe nuk ka të drejtë të mbaje funksion publik për 15 vite.

Shkarkimi për pasuri të paligjshme hyn në fuqi kur funksionari ka më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme. Në rast të lidhjeve me krimin, SPAK ka të drejtë të nisë procedim penal automatikisht për funksionarin publik.

Vetingu i funksionarëve publikë përfshin verifikimin për një periudhë 10 vjeçare që nga dita e deklarimit. Subjeketet që i nënshtrohen Vetingut janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.

“Funksionari publik dorëzon një deklaratë dhe i nënshtrohet një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri në datën e deklarimit, sipas ligjit“, shkruhet nder te tjera ne ndryshimet e propozuara nga PD.

Kontrollit i nënshtrohen edhe personat e lidhur me ta, bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, si dhe çdo person tjetër i përbërjes familjare të këtyre funksionarëve.

Ndërkohë ka raste specifike kur subjekt i Vetingut janë edhe bashkëshortët e fëmijëve në moshë madhore, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëshortët e tyre, personat me miqësi të njohur apo lidhje familjare me funksionarin publik, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me funksionarin në fjalë, si dhe çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji.

Perfundimi:

-Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, apo pasuri të pajustifikuar ligjërisht. Nëse funksionari publik që është në detyrë jep dorëheqjen nga funksioni, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, procesi i kontrollit të integritetit ndërpritet. Në këtë rast atij i ndalohet e drejta për t’u zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet.