Pjesë nga intervista:

Agron Gjekmarkaj: Unë di cilat kanë qenë marrëdhëniet mes Bashës dhe Berishës. Unë Sali Berishën e kam takuar 3 apo 4 herë gjithsej. Por çështja është se kur në një parti politike marrëdhëniet personalizohen, nuk është gjë e mirë. Marrëdhëniet duhet të jenë më transparente. S’duhet të jetë ky shqetësimi, por duhet të jetë më shumë se sa kaq. Ku po shkon PD nga ky konflikt.

A ka besëprerje nga Basha për Berishën?

Agron Gjekmarkaj: Nuk e di cilat kanë qenë pritshmëritë e Berishës. Sali Berisha e kishte kryer ciklin e tij politik si fitues, e në 2013 ai humbi. Ai ka qëndruar 8 vite në politikë më pas e ka qenë mentori i zotit Basha. Ka qenë i udhës që Berisha të tërhiqej. Basha ka qenë nën hije. Unë s’e përjashtoj Amerikën. Në këtë kuptim nuk gjej besëprereje, në kuptimin e aktit që mori.

Po shkruajnë shumë për firmat, por një pyetje është si mund t’i japësh firmat në dorë një strukture personave që nuk besojnë?

Agron Gjekmarkaj: Po, sepse duhet besuar strukturës. Kolegët e mi i thonë zotit Basha pse ti fyen zotin Berisha, ndërkohë që ky i fundit e fyen të gjithë ditën. Berisha ka shprehur atë që mendon, por duhet të vendosi strukturat. E në këtë rast është dashur të ndeshesh me to, e jo të fshihesh nga frika se ata nuk e pranojnë.

Çdo të ndodhë me 11 dhjetor?

Agron Gjekmarkaj: Në trajtat që po merr, PD i është bërë një dëm i madh dhe njeriu më i gëzuar është kryeministri. Sado serioz të jemi ne, sado të përpiqemi të reagojmë, vëmendja është kthyer te cështja e brendshme e PD. Por nga pikëpamja e gjësë në vetvete, mua më duket se kjo do të jetë një miting, marshim, i cili i fryn konfliktit me SHBA dhe nuk ndihmon në paqësimin e shpirtrave të PD. Kush do të jetë fituesi kryesor? Do të jetë përçarja.

Si e shihni PD në të ardhmen e afërt?

Agron Gjekmarkaj: PD do të dalë nga kjo krizë. Unë jam partizan i rindërtimit të PD, e kam hedhur këtë tezë që në korrik, e kam mbështetur zotin Marku në tezën e tij. PD ka jetike, por jo në shenjën e konfliktit, duhet të rikthehet gara në çdo nivel, s’duhet të ketë emërime. Nuk duhet të jetë e personalizuar PD. Unë dua një parti ku përfshihen elitat, që ka mendim, të jetë parti bashkëkohore të joshë qytetarët që të vij në pushtet. Ka njerëz me vlera PD, por jo mjaftueshëm sa meriton.

Çfarë do të thoshte një PD me në krye Sali Berishën e po kështu pretendimi për të qenë sërish kryeministër i Shqipërisë?

Agron Gjekmarkaj: Është kërkuar iluzioni sikur do të bëhet kuvendi me datë 11 dhe me 12 do të rrëzohet Edi Rama. Shumë personave i janë premtuar poste, për kryetar bashkish e të tjera për të firmosur formularët, është e turpshme, kjo nuk është rruga e duhur. PD është partia kryesore e opozitarizmit në Shqipëri dhe do e kalojë këtë moment. Unë e thashë, që Berisha ka konsumuar fazat e veta në politikë, ka pasur suksese, ka pasur fatalitete si askush tjetër. Nuk mendoj që është ai modeli. E shkuara nuk duhet të jetë e ardhmja. Berisha mund të ishte një këshilltar shumë i mirë. Ai ka zgjedhur konfrontimit. Ai ka ide, energji, por ka mbyllur të gjitha fazat me fitore e me humbje, e thjesht përsërit vetveten.

Nëse fiton foltorja a i qëndroni deklaratave të tua?

Agron Gjekmarkaj: Në PD kanë hyrë e dalë qindra njerëz. Unë jam një individ i ardhur së fundmi nga atashimi e nuk marr vendime për PD, por marr vendime për veten. Një PD në konflikt me SHBA nuk është e mirë për askënd. I qëndroj deklaratës time. Largohem!

Ç’po ndodh në PD?

Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike më 11 dhjetor. Ai pretendon se ka dorëzuar 4 mijë e 200 formularë me firmë të demokratëve, shumë më tepër se 1 e katërta që i nevojitet për të thirrur Kuvendin, por Basha nuk e njeh këtë procedurë. Edhe pse është ftuar nga vetë Berisha e Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, të cilit i janë besuar formularët, Basha nuk është paraqitur për të bërë verifikime. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmnet Bardhi është shprehur publikisht se firmat dorëzohet në sekretariatin e partisë, verifikohen aty e më pas nëse janë korrekte thirret Kuvendi. Sipas Bardhit nuk ka Kuvend më 11 dhjetor pasi është tejkaluar çdo limit kohor dhe në selinë blu s’ka shkuar asnjë kërkesë zyrtare.