Rimëkëmbja ekonomike e post-pandemisë është lajmi i mirë që po përjetojnë ekonomitë në botë. Pas thuajse dy vitesh të vështirë në betejë me virusin (që ende vijon), në horizont pritshmëria është pozitive, por gjërat nuk do të jenë aq të thjeshta, për aq kohë sa panorama mbetet e paqartë.
EIMA 2021, një nga aktivitetet më të mëdha të lidhura me bujqësinë dhe mekanikën bujqësore, i mbajtur në Bolonja pak javë më parë, e vuri theksin pikërisht te kërcënimet që shfaqen në horizont, për të cilat duhet të ketë reflektim të qartë të qeverive për t’i bërë ballë asaj që po vjen.
Kina ishte sërish epiqendra e këtij shqetësimi, por këtë herë, jo për shkak të virusit, sikurse është lakuar aq shumë në fillesat e pandemisë, por për rëndësinë e saj në zinxhirin e prodhimit të çdo sektori thuajse në mbarë botën. Presidenti i Feder Unacoma, organizata më e madhe për agro-mekanikën dhe organizatore e EIMA, Alessando Malavolti, u ndal në fjalën e tij gjatë aktivitetit në disa aspekte, duke nisur nga qëndrueshmëria që tregoi bujqësia dhe mekanika bujqësore gjatë pandemisë, rritja e prodhimit e deri te pasiguritë që shtrohen para.
Mungesa e lëndëve të para mund të frenojë rritjen e prodhimit
Gjatë panairit, përfaqësues të kompanive më të mëdha të mekanikës bujqësore thanë se tregu global po ecën para drejt një rritje që po theksohet sidomos në muajt e fundit. Kërkesa për teknologjinë bujqësore është shumë e lartë, por kjo tendencë mund të frenohet, për shkak të vështirësive në logjistikë dhe rritjes së kostove të lëndëve të para.
Sipas të dhënave të publikuara gjatë aktivitetit u nënvizua se Indeksi Botëror i Përbërjes së Kontejnerëve, që analizon vlerat e qirasë së kontejnerëve në rrugët kryesore të transportit, tregon se në shtator të këtij viti, qiraja u rrit me 292% krahasuar me një vit më parë. Rritja në çmimet e mallrave e cila po ndodh prej disa muajsh u bë veçanërisht e fortë në shtatorin e shkuar, kur kostoja e energjisë kërceu me 365%, llamarinat dhe mbështjellësit me 234% dhe 200%, polietileni me 160% dhe polipropileni me 123%.
“Teksa kostoja e faturës së energjisë po preket nga faktorët ekonomikë dhe mund të rikthehet në nivele të pranueshme pas disa kohësh, kriza e lëndëve të para është rezultat i një strategjie precize të Kinës, ndaj së cilës nuk është aq e thjeshtë të marrë masa. Kina ka reduktuar eksportet e hekurit dhe materialeve të lidhura me të, në mënyrë që të përmbushë kërkesën e brendshme dhe si rezultat i kësaj, çmimet e blerjes së furnizimeve për industrinë e mekanikës bujqësore në Itali dhe kudo janë rritur në mënyrë dramatike, në disa raste edhe me 100%.
Problemi nuk është vetëm në Itali por i takon sektorit të mekanikës bujqësore kudo në botë. Këtij sektori nuk i duhet vetëm të përballet me emergjencën që lidhet me plastikën dhe materialet e hekurit, por edhe me mungesën e metaleve silikon që janë thelbësore për prodhimin e çipave dhe gjysmëpërcjellësve të cilët përdoren në sistemin 4.0 që aplikohet në makineritë bujqësore.
Në konferencën e prezantimit të zhvillimeve kryesore u nënvizua edhe se me këto mungesa, nëse tensionet në tregjet e lëndëve të para do të vazhdojnë dhe nuk do të kthehen në normalitet së shpejti, stoku që kompanitë disponojnë është ai i përballimit të gjashtë dhe tetë muajve. Çështja u vlerësua se ka lidhje politike dhe qeveritë duhet të reflektojnë, duke ulur varësinë e prodhimit të hekurit nga jashtë, duke forcuar industrinë vendase ose të paktën të rishikojnë forcimin e marrëdhënieve të tjera tregtare, përveç asaj me Kinën.
Risitë e agro-mekanikës, përfshirja e Inteligjencës Artificiale
Teksa në EMIA 2018, përdorimi i gjerë i droneve në bujqësi me funksion monitorues apo edhe më të avancuar ishte risi dhe trend, në këtë edicion teknologjia kishte avancuar drejt përfshirjes së Inteligjencës Artificiale. Kompani të ndryshme kishin reflektuar në produktet e tyre të reja, pikërisht këtë aspekt, duke prezantuar traktorë të një niveli të ri që arrijnë të bëjnë auto-kontroll të sistemit, të analizojnë ambientin e jashtëm dhe kushtet, duke dhënë kështu efekte specifike te mënyra sesi përdoren frenat apo elemente të tjera.
Një tjetër projekt i rëndësishëm që doli në pah gjatë ditëve ishte ai i Transfarm 4.0, i cili mbështetet nga Komisioni Europian. Ky i fundit ka bashkuar në një të vetëm disa palë interesi, duke nisur nga fermerët, te kompanitë prodhuese të teknologjisë bujqësore për të prodhuar pajisje që janë të dobishme dhe i shërbejnë më mirë kërkesës.
“Transfarm 4.0 do të ofrojë zgjidhje të reja bujqësore precize, të drejtuara nga kërkesa për të përmbushur nevojat e fermerëve. Në kuadër të projektit, kompanitë, grupimet, institucionet kërkimore dhe fermerët do të ndërveprojnë për të sjellë zgjidhje të reja teknologjike në treg” – nënvizuan gjatë panairit përfaqësues të projektit, ku për herë të parë u prezantua edhe zgjidhja e parë teknologjike.
Qëndrueshmëria e bujqësisë dhe “bumi” i shitjeve të makinerive
Bujqësia ishte globalisht një nga sektorët që treguan elasticitetin më të lartë gjatë kohës së pandemisë, duke u përshtatur me kushtet e reja. Qëndrueshmëria e vijimit të aktivitetit ishte si pasojë e mjedisit të hapur ku zhvillohet aktiviteti, ndërkohë që edhe kërkesa për produktet bujqësore mbeti në nivele të mira, madje në disa segmente edhe më e lartë se në periudhën e para pandemisë. Si pasojë, edhe sektorët e tjerë të lidhur me të, industri të zinxhirit të përjetonin më shpejt rikuperimin. Shifrat e dhëna gjatë panairit treguan për një bum të kërkesës sa i takon blerjes së makinerive dhe kryesisht traktorëve.
“Shitjet e mekanikës bujqësore, pajisjeve dhe komponentëve të lidhura me to po rriten në një nivel të paprecedentë në të gjithë tregjet. Të dhënat nga regjistrimi i mjeteve që u dhanë gjatë EIMA tregun rritje të qëndrueshme në shumicën e vendeve, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek India, që ishte vendi me shitjen më të madhe për njësi apo Gjermania, ku shitjet e shtatorit ishin në nivele të larta, për të vazhduar më pas me vende si Britania e Madhe e Spanja.
Përfaqësues të sektorit dhe organizatorë të eventit thanë se kjo panoramë pozitive e shitjeve lidhet së pari me rimëkëmbjen ekonomike globale që pritet të jetë në nivelin 5.2% për vitin 2021 dhe 4.9% për vitin e ardhshëm dhe, së dyti, nga ecuria e mirë e prodhimit në bujqësi, por edhe parashikimeve pozitive për vazhdimin.
“Ecuria e mirë e të vjelave në disa zona të Europës Lindore dhe Australi favorizohet nga kushtet pozitive të motit dhe kjo ka kompensuar edhe rënien në prodhimin e grurit që parashikohej për Federatën Ruse, ku vjelja e dimrit ka mbaruar dhe rezultatet tregojnë rendiment më të ulët sesa ishte parashikuar më parë, për shkak të efekteve negative të motit të thatë.
Prodhimi i orizit me 1.3% më shumë, apo 520 milionë tonë, kontribuon në parashikimin e përgjithshëm të drithërave me një rritje 2.8 miliardë tonë, apo 1.1% më shumë, në raport me një vit më parë. Bujqësia po përfiton jo vetëm nga një ecuri e mirë ekonomike” – nënvizoi Malavolti.
Ndikimet e ndryshimeve klimatike në bujqësi, nevoja për zgjidhje të zgjuara
Si kurrë më parë, në vitin 2021, ndryshimet klimatike janë kthyer në temë diskutimi thuajse në çdo tryezë ndërkombëtare apo event me pjesëmarrje globale. EIMA 2021 nuk mund të ishte ndryshe. Bujqësia konsiderohet si një nga sektorët e rrezikuar nga ndryshimet klimatike, ndaj industritë e lidhura me të, si mekanika bujqësore, nuk mund të jenë indiferente. Gjatë EIMA 2021, u theksua se sot këto ndryshime kanë nisur të ndihen me peshën e tyre reale.
Nuk do të jetë larg dita kur efektet të jenë edhe më domethënëse, ndaj në këto kushte kërkohen masa dhe zgjidhje të zgjuara. Sipas shifrave të dhëna në panair do të jetë në paktën 8.5 miliardë njerëz deri në vitin 2030, por 40% e planetit e thatë apo pa mundësi për të ushtruar aktivitet bujqësor.
Çdo vit, nga ana tjetër, humbasin 12 milionë hektarë tokë, për shkak të ndikimeve klimatike. E teksa në njërën anë kemi përmbytje dhe erozion, në tjetrën ngrohja globale po rrit gjithmonë e më shumë nevojën për ujë.
Konsumimi i ujit në bujqësi është rritur me të paktën 6 herë më shumë sot në raport me 100 vite me parë. Bujqësia merr 70% të burimeve të ujit. Pikërisht këto janë elementet që shtrojnë para sfidën për të dhënë zgjidhje të zgjuara, duke ndërtuar makineri që i shërbejnë një të ardhmeje të qëndrueshme. Në këtë kontekst, për industrinë u shtrua para përdorimi i pajisjeve të avancuara që menaxhojnë më mirë burimet ujore, të cilat i bëjnë tokat problematike të kultivueshme, mirëmbajnë zonat e pyllit, por edhe territoret e rrezikuar, si dhe ushqyerja e industrisë së biokarburanteve. Slogani i kësaj pjese ishte: tranzicioni ekologjik është revolucioni i parë dhe më i rëndësishëm në bujqësi.