Ministri i brendshëm Bledi Çuçi ka takuar homologen e tij britanike Priti Patel, me të cilën thotë se ka diskutuar në lidhje me nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Çuçi thotë se i ka kërkuar Patel që të rishikojë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë, për ti dhënë mundësinë atyre për punë dhe për lëvizje sezonale.
Ndërkohë që ajo që nuk deklaron Çuçi është nëse ka folur apo jo me Patel në lidhje me çështjen e emigrantëve ilegalë, dhe nëse Shqipëria do të përdoret si një vend tranzit, për ta, pas kthimit nga Britania e Madhe.
Prej kohësh mediat britanike kanë servirur lajme për një marrëveshje që është duke u diskutuar mes Patel dhe Çuçit, ku Shqipëria thuhet se do të marrë nga Britania e Madhe një shumë prej 100 mijë paundësh, për çdo emigrant që strehon.
Por këto lajme janë mohuar kategorikisht nga pala shqiptare, edhe pse paralelisht në Kuvend është duke kaluar një marrëveshje, e cila sipas opozitës është mbajtur e fshehtë nga ministria e brendshme, dhe ka disa pika kontradiktore, siç është ajo për emigrantët e vendeve të treta.
Postimi i Çuçit:
Takim me homologen Priti Patel, me të cilën diskutova për nivelin e bashkëpunimit që kemi arritur deri më tani falë besimit dhe përkushtimit të dyanshëm. I kemi kapacitetet që këtë besim të ndërsjellë ta shndërrojmë edhe në veprime konkrete në drejtim të ngritjes së skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale.
Luftën kundër krimit të organizuar nuk e bëjmë dot veçmas, prandaj duhet të bashkërendojmë përpjekjet dhe resurset tona në çdo kohë. Diskutuam gjithashtu edhe për emigracionin e jashtëligjshëm, i cili kurrsesi nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit të ligjshëm.
I kërkova homologes britanike të rishikojë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. Në këtë pikë gjeta mirëkuptimin e saj të plotë duke më shprehur gjithashtu angazhimin për të bërë gjithçka duhet për integrimin e tyre.
Asistenca britanike për Institutin tonë të Policisë Shkencore është një ndihmë që ne e çmojmë shumë. Me reformimin e këtij institucioni dhe adaptimin e teknologjisë e metodave moderne, do të plotësojmë një nga hallkat më kritike të zinxhirit të hetimit dhe dokumentimit të ngjarjeve kriminale në vend.