Qeveria shqiptare është përballur në vijimësi me kritika të shumta, sidomos në lidhje me rrugën që ndoqi për të kapërcyer vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia, në kurriz të shëndetit; për favorizim të operatorëve ekonomikë të përzgjedhur, kryesisht me anë të mekanizmit të koncesioneve në dëm të pjesës tjetër të popullsisë dhe biznesit; për fenomenet e korrupsionit apo të emigrimit, rritjen e borxhit publik, kullëzimin dhe betonizimin e mjedisit publik; dobësimin e institucioneve të pavarura, sidomos atyre rregullatore që kanë për detyrë të mbrojnë lirinë ekonomike dhe konkurrencën; mungesën e transparencës dhe dobësinë në llogaridhënie, e evidentuar qartazi në rastin më të fundit nga KLSh në programin e rindërtimit, etj.
Për të zbehur pasojat e këtyre kritikave, në funksion të synimit të vetëm të rëndësishëm, rimarrjes së pushtetit në zgjedhjet e 25 prillit në vitin 2021, Qeveria përgatiti dhe vuri në zbatim një paketë fiskale, e cila ofronte disa lehtësi, gjithsesi jo të qenësishme, për grupet e ndryshme shoqërore dhe biznesore të vendit.
Por ndërkohë, megjithëse vendi përballet me fenomene të papunësisë, investimeve të tkurrura, largimit të kapitalit të huaj, veçanërisht atij perëndimor, papunësisë, rritjes së nivelit të varfërisë dhe hemorragjisë prej emigrimit të popullsisë, administrimi i parasë dhe aseteve publike vijoi të jetë njësoj i shkujdesur dhe abuzues, si edhe më parë.
Programi i qeverisë së re, të formuar në shtator 2021, tregoi qartazi se qeveria shqiptare nuk ka ndër mend ta ndryshojë këtë qasje. Pra mbetet e patundur në krijim kostosh nga keqadministrimi dhe sigurisht, shkarkimi i tyre në kurriz të popullsisë dhe ekonomisë është çështje kohe. Madje ky proces ka filluar, dhe formën më të dukshme e ka marrë me rritjen e varfërisë dhe rigjallërimin e emigrimit. Të dhënat e fundit tregojnë se kërkesat për azil në gusht i arritën nivelet e parapandemisë.
Ndërsa me prezantimin në Kuvend të buxhetit dhe paketës fiskale të vitit 2022, po vjen radha që barra t’i kalojë pasurisë dhe biznesit, por që vë në pikëpyetje shtegun të cilin do të marrë liria ekonomike.
Në diskutimin në paketën fiskale 2022 u përmbys pothuaj çdo hapësirë çlirimi nga barra fiskale me argumentin se, e ka rekomanduar FMN. Askush nuk dha llogari që një program i tillë, i diskutuar prej të paktën tre vitesh, hidhej në miratim në mënyrë surprizë, duke shkaktuar deri protesta nga disa industri. Tani ka filluar të artikulohet zëshëm nevoja e taksimit të kapitalit apo e pasurisë neto.
Fryma e emërtuar në anglisht “tax the rich” (takso të pasurit) në disa vende perëndimore të zhvilluara, e përforcuar nga nevoja për të përballuar kostot që shkaktoi mbështetja reale dhe e qenësishme, që ofruan qeveritë përkatëse për ekonomitë e vendeve të tyre (ndryshe nga qeveria shqiptare), po përdoret në rastin e Shqipërisë si pretekst për të ndërhyrë drejtpërdrejt në lirinë e biznesit; në përqendrimin e aktivitetit ekonomik, dhe në konturimin de facto të një ekonomie shtetërore.