I akuzuari Gani Kriezi ka mohuar se në shkurt të 2020-ës në Bërnjak të Rahovecit, e ka vrarë dhe më pas e ka djegur vëllanë e tij, B.K.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari mohoi fajësinë për vrasje të rëndë, ndërsa e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
“Të dy armët që janë gjetur në shtëpinë time i kam dorëzuar vet”, tha i akuzuari Kriezi.
Më pas, prokurori Buzhala e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas tij, armët për të cilat i akuzuari e pranon fajësinë janë të involvuara në kryerjen veprës penale të vrasjes së rëndë.
Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Halim Shala, e ka mbështetuar deklarimin e prokurorit për mospranimin e fajësisë sa i përket armëmbajtjes pa leje.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Afrim Radoniqi tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, kanë ardhur në përfundim për pranimin e fajësisë lidhur me pikën dy të aktakuzës.
Më pas, gjykatësi Drilon Haraçia, e ka refuzuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit sa i përket armëmbajtes pa leje, pasi që vepra penale e vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje kanë lidhshmëri mes vete.
Ai i njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, por se kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.
Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqit, në emër të një borxhi.
Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.