Të hënën vjen në Shqipëri presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Mësohet se Erdogan do të pritet në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nga kryeministri Edi Rama në orën 09:00.
Pas pritjes në aeroport, presidenti turk do të niset drejt Laçit për të inauguruar apartamentet e financuara nga qeveria turke pas tërmetit tragjik. Pasi të mbërrijë në Tiranë, do të ketë një takim me kryeministrin Rama dhe më pas të dy një konferencë për shtyp.
Sesioni i ri parlamentar do të nisë të hënën pasdite. Por 17 janari nuk do të jetë një ceremoni e thjeshtë e hapjes së punimeve të Kuvendit. Presidenti i Turqisë, do të jetë përshëndetësi i këtyre punimeve. Erdogan vjen në Shqipëri për të inaguruar disa investime turke në Laç në kuadër të ndihmës që po jep Turqia për rindërtimin nga tërmeti, dhe me këtë rast, do të mbajë edhe një fjalim në seancën e parë të Kuvendit. Kjo seancë përkon edhe me një datë të rëndësishme për historinë tonë, përvjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili i kushtoi jetën çlirimit të shqiptarëve nga pushtimi turk.