Një asteroid shumë më i madh se ndërtesat më të larta në Tokë do të kalojë pranë planetit tonë ditën e sotme, sipas një deklarate të bërë nga NASA.
Ky asteroid quhet 7482 (1994 PC1) dhe ka një gjerësi prej 1,052 metrash. Për sa i përket lartësisë, ai është më i lartë se ndërtesa Burj Khalifi në Dubai, e cila është 830 metra e lartë (ndërtesa më e lartë në botë).
Adresa zyrtare Asteroid Watch e NASA në Twitter siguroi të gjithë ndjekësit se ky asteroid nuk shfaq asnjë rrezik për planetin tonë. Sipas tyre, ky asteroid është studiuar prej dekadash nga ekspertët e Planetary Defense dhe e njohin shumë mirë atë.
“1994 PCI do të kalojë në mënyrë të sigurtë pranë Tokës, rreth 1931212.8 kilometra larg saj ditën e martë.” shtoi NASA Asteroid Watch. Kjo distancë është e barabartë me 5 herë distancën e Tokës nga Hëna.
Ky objekt shkëmbor u zbulua fillimisht nga Robert McNaught në observatorin Siding Spring në Australi. Aktualisht NASA po teston një program të ri të quajtur Dart, i cili synon të mbrojë Tokën nga asteroidët në të ardhmen duke përplasur anije kozmike mbi to për të ndryshuar trajektoren e tyre.