Viti 2022 ka nisur me një ulje të besimit tek ekonomia shqiptare. Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë, ka evidentuar se rënia u përcaktua kryesisht nga tkurrja e besimit në sektorin e industrisë dhe shërbimeve. Rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve reflektohet në vlerësimin negativ dhe stepjen e konsumatorëve për të bërë blerje të mëdha si banesat, por edhe nga pritshmëritë më pesimiste të situatës së tyre financiare në të ardhmen.
Viti 2022 nisi me rënie të pritshmërive mbi ekonominë. Banka e Shqipërisë publikoi raportin e treguesit të ndjesisë ekonomike e cila ka pësuar një rënie me 1.7 pikë dy muaj pas përmirësimit të këtij treguesi.
Ndikim kryesor ka dhënë sektori i shërbimeve, industrisë dhe konsumatorëve.
Sa i përket besimit në tregti dhe ndërtim vihet re një përmirësim në muajin e parë të vitit.
Indeksi i besimit konsumator që matet nga Banka e Shqipërisë tregon se konsumatorët gjithnjë e më shumë po e ndjejnë dukshëm rritjen e çmimeve katër muajt e fundit.
Referuar raportit, qytetarët kanë dhënë vlerësimin më negativ lidhur me blerjet në shuma të mëdha si dhe pritjet për situatën e tyre financiare në të ardhmen.
Kjo mendohet se është e ndikuar edhe nga situata e përgjithshme e çmimeve në vend, pasi gjatë javëve të fundit vendi po përballet me shtrenjtim të produkteve ushqimore, por edhe të karburanteve.
Ecuria jo e mirë e sipërmarrjeve dhe ulja e kërkesës kanë bërë që sektori i shërbimeve të shënojë uljen më të madhe të besimit muajin e kaluar, teksa ndjeshëm është ulur edhe ai i sektorit të industrisë, i ndikuar nga vlerësimi i bërë mbi ecurinë e biznesit në këtë sektor si dhe me kërkesën.
Ndryshe nga sektori i industrisë, ai i tregtisë vihet re në përmirësim sa i përket besimit, por pritshmëritë për të ardhmen janë përkeqësuar.
Përmirësim të pritshëmrive ka pasur në sektorin e ndërtimit si rezultat i përmirësimit të aktivitetit ndërtues në vend por edhe prej ecurisë më të mirë të kontratave porositëse.
Gjithashtu në raport thuhet se bizneset e vlerësojnë situatën aktuale të punësimit në rënie.