Për aleatin e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, tani nuk ka më asnjë pikëpyetje që selia blu është e Sali Berishës. Por, duke analizuar zgjedhjet e 6 marsit, ai thotë që Berisha në krye të PD-së nuk mund të sjell fitoren.
Për ta bërë sa më të kuptueshme triumfin e Berishës brenda PD-së kreu i LZHKsë kthehet shekuj pas në kohë e ku kujton heroin kombëtar Skënderbeun. Sipas tij, fitorja e Berishës përball Bashës është njësoj sikur fitorja e Skënderbeut kundër Hamzait. Por, populli shqiptar nuk e donte Skënderbeun kur mundi Hamzain, por kur mundte turqit.
Duke e sjellë në situatën konkrete, Shehi thotë se Berisha duhet të mund PS-në. Për ta bërë këtë, kryetari i LZHK-së propozon që të krijohet një bosht i gjerë opozitar që t’i mbledhë të gjitha forcat politike, të cilat kanë objektiv të përbashkët largimin e Ramës. Boshti të drejtohet nga Partia Demokratike. Ndërkohë, dorëheqjen e Bashës, Shehi e cilëson si gjestin më të mirë, por që duhet ta kishte bërë më herët në mënyrë që edhe plagët të ishin më të pakta.
Gjatë intervistës për gazetën “Panorama”, Shehi flet edhe për krizën ekonomike ku i propozon qeverisë që pasi të ezaurojë çdo hap të brendshëm, të shikojë mundësinë për të marrë borxh publik, por jo për të paguar PPP-në. Paratë që do merren të paguhen për subvencionimin e pjesës së rritur të çmimeve.