Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka hequr dorë nga kallëzimi penal i bërë prej tij në vitin 2019 kundër ish-drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Përplasja e fortë publike mes të dyve, që shkoi deri në dyert e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, lindi për shkak të interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës nga Presidenti dhe KED, përgjatë procesit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Kushtetueses.
Së fundmi, kreu i shtetit ka “trokitur” në Gjykatën e Lartë lidhur me këtë çështje, duke këmbëngulur në përpjekjen për hetimin e Dvoranit sipas kallëzimit të tij, për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore”.
Përmes një rekursi të depozituar në këtë gjykatë, Presidenti kërkon prishjen e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Apelit, që pushuan hetimin e nisur nga SPAK për Dvoranin, aktualisht anëtar në Apelin Administrativ dhe kandidat në listën e Kuvendit për në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa është regjistruar në Gjykatën e Lartë, ku ka si relator gjyqtarin Ilir Panda dhe pret gjykimin.
Hetimi i nisur ndaj Dvoranit pas kallëzimit të Metës u pushua nga Gjykata e Posaçme në nëntor të vitit të kaluar me kërkesë të SPAK, që nuk gjeti elementë të veprës penale në veprimet e Dvoranit. Vendimi u la i pandryshuar nga Apeli i Posaçëm në janar 2022.
Në kallëzimin e tij, Meta pretendonte se Dvorani kishte shkelur ligjin, duke i dërguar jo me radhë, por njëkohësisht listat e kandidatëve për Kushtetuesen në Presidencë dhe në Kuvend. Po sipas presidentit, Dvorani dhe disa zyrtarë të tjerë, në kundërshtim me ligjin, kishin botuar në fletore zyrtare një prej listave dhe se nuk kishin publikuar disa procesverbale mbledhjesh të KED.